16 Tetor, 2017 - 6:59 pm
Sot ka qenë dita e parë e vazhdimit të xhirimeve për filmin “The Sin. A Vision” i cili do të trajtojë jetën e Mikelangjelos.
Piazza della Signoria në Firence sot ka qenë skenë xhirimi për këtë film, një bashkë-produksion mes Italisë e Rusisë. Regjisor i filmit është Andrei Konchalovsky.
Aktori Roman Alberto Testone po e luan rolin kryesor, të skulptorit e poetit të njohur italian i cili ka lindur në Firence e ka vdekur në Romë të Italisë, shkruan KultPlus.
Filmi më herët është xhiruar edhe në Montepulciano, Carrara, Bagno a Ripoli, Pienza, Monte San Savino, Tarquinia, Caprarola dhe Romë.
Michelangelo në tërësi një artist sa gjenial po aq dhe i trazuar. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash që janë futur në historinë e artit, disa prej të cilave të njohura në gjithë botën si ndër më të rëndësishmet e artit perëndimor: Davidi, Pietà-ja vatikanase, Kupola e Shën Pjetrit si dhe cikli i afreskëve në Cappella Sistina konsiderohen maja të pakapërcyeshme të gjenisë krijuese.
Studimi i veprave të tij formoi gjeneratat pasuese, duke i dhënë jetë një shkolle që bëri art “alla sua maniera” (që do të thotë “sipas mënyrës së tij”) dhe që mori emrin manierizëm. / KultPlus.com