12 Nëntor, 2017 - 3:20 pm
Azem Vllasi vazhdon të jetë i pranishëm në jetën publike edhe pse karriera e tij si zyrtar i lartë politik është mbyllur gati 30 vite më parë.
Dje në Beograd ai ka marrë pjesë në një debat ndërkombëtar ku është folur rreth shkatërrimit të Jugosllavisë. Vllasi ka akuzuar Sllobidan Millosheviqin duke thënë se Kosova nuk ka pasur fuqi ta shkatërrojë këtë shtet edhe po të kishte dashur.
Në mars të këtij viti Vllasi ishte plagosur nga një pjesëtar i organizatës “Syri i Popullit” e cila kishte marrë përsipër te likuidonte figura politike përfshirë edhe njerëz të lidershipit aktual të Kosovës përfshirë edhe Presidentin Hashim Thaçi.
Por, Vllasi në periudhën 1989-90 i kishte mbijetuar edhe një situate mjaftë të rëndë politike. Heqja e autonomisë së Kosovës dhe Greva e Minatorëve, për të cilën Vllasi ishte akuzuar nga Beogradi, e kishte çuar atë për 14 muaj në burgun e Toćak-ut nën akuzat për veprimtari armiqësore ndaj shtetit jugosllav, për çka parashihej edhe dënimi me vdekje.
Pas lirimit nga burgu, Vllasi, ishte në telashe financiare. Gazeta kroate “Slobodna Dalmacija” i kishte ofruar të shkruante si kolumnist. Aty Vllasi kishte shpalosur përvojën e tij në burg ndërkohë që nga këto shkrime ishte botuar libri ” Mjeshtërit e Errësirës”.
Ajo çfarë i kishte ndodhur ish- liderit komunist shqiptar kishte tërhequr vëmendjen e regjisorit Faruk Sokolovic, i cili kishte vendosur që historinë e funksionarit kosovar ta shndërrojë në film.
Për rolin e Vllasit angazhohet njëri nga aktorët më të njohur jugosllav i njohur edhe për rolet e tij në filma të Hollywood-it, Rade Serbedzija. Filmi është punuar sipas skenarit të Azem Vllasit ndërkohë që flet për periudhën e kaluar në burg, raportet me të burgosurit tjerë dhe administratën e burgut.
Filmi i zhanrit dramë fillon me pamjet e një mitingu masiv në Beograd ku turma e serbëve të mbledhur i kërkon Millosheviqit: “Arrestojeni Vllasin”.
Vetë Vllasi në një intervistë për mediat në Bosnjë ka thënë se “Majstori Mraka” është një film i mirë, por që ka mbetur nën hijen e ngjarjeve të asaj kohe. (Marrë nga Insajderi)./ KultPlus.com