4 Korrik, 2019 - 3:30 pm
Filmi “Motiv i kotë”, punë e regjisorit Piro Milkanit në vitin 1960, teksa kryente studimet në Pragë u shfaq në Ministrinë e Kulturës, në ditën kur u vlerësua me titullin “Ambasador i filmit shqiptar”. I njohur për punën e tij me kinematografinë shqiptare prej vitesh, kineasti Piro Milkani ka sjellë për publikun filma, që kanë marrë vlerësimin e tyre. Në Ministrinë e Kulturës u shfaq dhe një kolazh me filma nga krijimtaria e kineastit, dhe medalja “Ambasadori i filmit shqiptar” është një vlerësim që vjen pas çmimit të rëndësishëm në Çeki “Njeriu përkushtuar”. Krahas ministres së Kulturës Elva Margariti, ambasadorit Çek në Tiranë gjatë kësaj ceremonie ishin të pranishëm edhe kineastë, bashkëpunëtorë, ish-studentë të Pragës. Kineasti i njohur Piro Milkani shprehet se këto vlerësime po vijnë në një kohë kur mendonte se krijimtaria e tij kishte përfunduar. “Nuk di ç’të them po më kujtohet shprehja popullore, që po të erdhi e mira hapi derën. Nuk kanë të mbaruar mirësitë nga Kina dhe Çekia. Por ky vlerësim ka rëndësinë e vet, sepse ma jep ministria ime dhe kjo më obligon që të mos ndërpres projektet e mia si krijues”, shprehet kineasti Piro Milkani. Gjatë fjalës së tij ndër të tjera kineasti vlerësoi bashkëpunimet për filmat e tij në kohën e Kinostudios. Sipas tij në Kinë filmat shqiptarë janë mirëpritur nga publiku. Piktori i njohur Ksenofon Dilo në vitet gjatë punës në Kinostudio ka punuar disa filma me regjisorin Piro Milkani. Ai shprehet se bashkë u njohën studentë në Pragë për të qenë më pas me filmat në Kinostudio. “Milkanin e kam njohur si student në Pragë. Unë isha në vitin e katërt dhe ai erdhi disa vite më vonë, por aty e njoha mirë gjatë kohës që i kisha parë disa nga punime të tij që bënte në shkollë. Unë u emërova në Kinostudio, por dhe Piro pasi mbaroi shkollën erdhi në Kinostudio. Këtu u njohëm mirë, sepse unë kam punuar disa filma artistikë me të”, pohon piktori Ksenofon Dilo. Për ministren e Kulturës Elva Margariti, regjisori Piro Milkani është një nga ata artistë, që ndërrimi i sistemeve politike nuk do ta lëkundte në sistemin e vlerave. “Një intelektual i vërtetë dhe nga ata njerëz, që im gjysh do t’i thoshte “burrë zotëri”. Pas nderimit në Pragë me një çmim prestigjioz, me të cilin u vlerësuan edhe 14 personalitete të tjerë nga e gjithë bota, e ndjemë si detyrim, që këtij çmimi t’i jepnim jehonë edhe në vendin tonë. Sigurisht, që vlerësimet janë individuale, por nuk ka sesi të mos bëhemi pjesë e këtij kremtimi dhe të ndihemi, pse jo krenarë, që nga ky vend i vogël, kanë dalë njerëz të mëdhenj. “Falënderim njeriut të zotë”, lexohet në vlerësimin që Praga i bën regjisorit shqiptar, dhe mendoj se fjala “i zotë” e përmbledh më së miri korpusin krijues të kineastit model”, tha ministrja Margariti gjatë kësaj ceremonie kushtuar kineastit Piro Milkani.
Filmat ndër vite
Film shqiptar “Trishtimi i zonjës Shnajder” xhiruar në vitin 2005 në Çeki dhe me premierë në 14 Mars 2008, me regjisor Piro Milkani dhe Eno Milkani, është më i fundit që mban emrin e kineastit të njohur. Historia zhvillohet në vitin 1961, kur një grup studentësh nga Akademia të Arteve të Bukura vijnë të xhirojnë filmin e diplomimit me temë një Fabrike Motorrash. Filmi zhvillohet rreth dramës personale të studentit shqiptar Lekë, që vjen nga një vend i izoluar totalisht prej pjesës tjetër të Evropës. Ai lufton me ndjenjën e solidaritetit ndaj Atdheut dhe familjes, veçanërisht nënës së tij, magjepsjen ndaj një mënyrë jetese, shfrenimi erotik dhe shkujdesjeje të “rinisë së artë” çeke dhe pasionit të dashurisë me një grua në moshë. Piro Milkani lindi më 9 Dhjetor 1939 në Korçë. Nga krijimtaria e regjisorit përmendim filmat si më 1990 Ngjyrat e moshës; 1988- Pranvera s’erdhi vetëm; 1987- Eja!; 1985- Në prag të jetës; 1984- Militanti; 1983- Fraktura; 1982- Besa e kuqe; 1981- Në kufi të dy legjendave; 1980- Një shoqe nga fshati; 1979- Ballë për ballë; 1977- Shembja e idhujve; 1976- Zonja nga qyteti; 1975- Çifti i lumtur; 1974- Shtigje lufte; 1974 -Një firmë e hekurt (dokumentar); 1973- Festë e madhe (dokumentar); 1971 -Kur zbardhi një ditë; 1969 -Përse bie kjo daulle; 1969 Festivali 7-të i fëmijëve (dokumentar); 1968- Fitues; 1967-Ngadhënjim mbi vdekjen. /Julia Vrapi/KultPlus.com