8 Dhjetor, 2017 - 2:00 pm
Gili Hoxhaj
Filmi i parë shqiptar i zhanrit horror erdhi mbrëmë premierë në Kinemanë “ABC” në Prishtinë. “Bloodlands”, është projekt filmik i realizuar nga produksioni australian “Kastlefilms” e me regji të Steven Kastrissios, shkruan KultPlus.
Ky projekt filmik ka udhëtuar në ekranet e Anglisë dhe në festivalin portugez “Fantasporto”, në Skoci, ndërsa ka arritur të rrëmbej tri çmime në Festivalin e Filmit Horror në Sidnej të Australisë. Po ky film i ka dhënë aktores Suela Bako, në rolin e Shpresës çmimin e aktores më të mirë në “Nashville Film Festival”.
Ky film edhe pse me produksion australian, është i realizuar në gjuhën shqipe nga aktorë shqiptarë. Ngjarja e këtij filmi jetësohet nga loja e aktorëve: Suela Bako, Ilire Vinca, Gëzim Rudi, Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj.
Regjisori australian Steven Kastrissios, me filmin e tij prekë në traditën e një familje shqiptare, ndërsa në vetvete ngërthen edhe elemente të Kanunit të Lekë Dukagjinit. “Bloodlands”, apo “Tokë e gjakut”, solli mbrëmë në ekranin e kinemasë në Prishtinë, historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Roli i shtrigës, vije përmes aktrimit të përkryer të aktores kosovare, Ilire Vinca e cila herë shfaqet gjysmë, e herë e plotë duke bredhur brenda errësirës në mal.
Në sulmet e urrejtjes, ajo ka një mision që të marrë hakun për krejt dhimbjen që i kanë shkaktuar. Prapa saj vihen gjithnjë një grup njerëzish të cilëve shoqëria ua ka kthyer shpinën. Hakmarrja e saj, prek në jetën e njerëzve të qytetit të saj. Ndërsa e gjithë ngjarja zhvillohet në periferi brenda një familje moderne tipike shqiptare, e cila përballët me sulme të shpeshta nga grupi misterioz i udhëhequr nga shtriga. Para se ky grup të sulmoj jetën e kësaj familje, ajo ecën në probleme të përditshme, të cilat lidhen me varfërinë, e mes mospërputhjeve të planeve brenda bisedave familjare.
Në sulmet dhe shenjat e vazhdueshme që shfaqen në shtëpinë e tyre, i zoti i kësaj familje që është me profesion kasap, kap pushkën të ballafaqohet me zërat e figurat misterioze të këtij ekipi. Gjithçka përfundon në një vrasje, e cila hap një varg të ri të ballafaqimit të familjes me ekipin e shtrigës. Përmes dritares se familjes pason një shenjë me mbishkrimin “Gjaku lahet me gjak”, e përkundër të gjitha mospërputhjeve familjare, ky është momenti ku familja mblidhet në një kapitull të ri në përballje me banorët e pyllit.
Ky film do të qëndrojë për një javë në raportorin e Kino ABC dhe në DokuKino. Orari i rregullt i filmit është ora 20:00 ABC, në Prishtinë dhe duke filluar nga ora 19:30 në DokuKino, në qytetin e Prizrenit. /KultPlus.com