Filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ edhe në gjashtë festivale të rëndësishme

25 Korrik, 2017 - 12:05 pm

Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmijë’ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, film ky që trajton raportin e rrënuar familjar mes babës autoritar dhe djaloshit të mitur me emrin Moni, është përzgjedhur në programet zyrtare edhe të gjashtë festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare.

Kështu, nga data 4 deri më 7 gusht filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ do të shfaqet në festivalin bregdetar të Italisë Cortosplash Film Festival i cili mbahet në Nova Siri të Italisë, për të vazhduar në festivalin e njohur amerikan Accolade Global Film Competition i cili mbahet në La Jola të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga data 1 deri më 5 shtator, pastaj nga data 21 deri më 24 shtator do të shfaqet në festivalin prestigjioz European Film Festival i cili mbahet në qytetin turistik Nidden të Lithuanisë , nga data 23 – 30 shtator do të shfaqet në Sose International Film Festival i cili mbahet në kryeqytetin e Armenisë – Yerevan, kurse nga data 5- 10 tetor, do të shfaqet në njërin ndër festivalet më të njohura të filmit të shkurtër, pikërisht në edicionin e 15-të jubilar, në Festival of Mediterranean Short Film Tangier në Marok.
Është me rëndësi edhe përzgjedhja e filmit ‘Përjetësisht Fëmijë’ në listën e shkurtër të programit garues të festivalit të madh Short of the Year i cili organizohet nga platforma e njohur ndërkombëtare Promofest në Madrid të Spanjës.
Filmin ‘Përjetësisht Fëmijë’ gjatë muajve të vjeshtës e presin edhe shumë evente tjera. Deri më tani, filmi është përzgjedhur nga 22 festivale ndërkombëtare dhe ka fituar pesë çmime të ndryshme.
Në rolin kryesor të këtij filmi paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhje Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.
Drejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli. Kompozitor Naim Krasniqi. / KultPlus.com

Të ngjajshme