Filmi “Polina” i Angjelin Preljocaj, shfaqet së shpejti në Tiranë

4 Mars, 2018 - 1:42 pm

Koreografi i njohur Angjelin Preljocaj do të vije përsëri në Tiranë, ku do të sjellë filmin e tij “Polina” në kuadër të aktiviteteve kulturore të “Pranverës Frankofone”, shkruan KultPlus.

Sipas Ambasadës Francez, Angjelin Preljocaj së bashku me bashkëshorten e tij, Valerie Muller do të vijnë në Tiranë më 23 mars.

Filmi “Polina” shënon debutimin si regjisor kinematografik të Angjelin Preljocaj, që është njëkohësisht edhe autor i skenografisë në çift me të shoqen Valérie Müller. I frymëzuar nga Polina, personazh vizatimor i Bastien Vivès, rrëfen historinë e një vajze të vogël ruse, e cila u bë balerinë e Bolshoit dhe nëpërmjet një lidhjeje dashurie të komplikuar me një kërcimtar francez, zbuloi një mënyrë tjetër të të kërcyerit.

Filmi “Polina, vallëzimi i jetës së saj”, zhvillohet në Moskën e viteve nëntëdhjetë, kur perdja e hekurt sapo kishte rënë. Këtu Polina, një vogëlushe tetëvjeçare, e cila vjen nga një familje e thjeshtë dhe që ka prirje të mëdha për kërcimin, zgjidhet për të ndjekur leksione baleti në shkollën e vështirë të mjeshtrit Nikita Bojinski që do ta përgatisë për në Teatrin Bolshoi, pjesë e të cilit do të bëhet në moshën 18-vjeçare. Polina takon dashurinë e saj dhe nëpërmjet saj zbulon një mënyrë të re të të kërcyerit falë balerinit francez Adrien, një bashkëmoshatar të saj që do ta çojë në Aix-en-Provence, ku balerina e re do të mësojë sekretet e kërcimit bashkëkohorë. Parabola e saj do të përmbushet në vende, si Anversa, Montpellier, Avignone, kur Polina do të jetë bërë grua./ KultPlus.com

Të ngjajshme