Filmi që mori 180 mijë euro nga Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar nuk kishte kaluar në QKK

20 Shkurt, 2019 - 3:01 pm

180 mijë euro janë ndarë nga rezervat e shtetit për të realizuar një film, e ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka ngjallë debat të madh në komunitetin artistik, shkruan KultPlus.

Ky projekt përpos që ka marë rezervat e shtetit, në të njëjtën kohë ka kapërcyer edhe institucionin kryesor që mbështetë bërjen e filmit, Qendrën Kinematografike të Kosovës, institucion që bën thirrjen publike për çdo vit.

“Lojë jete” që mban titullin ky film, që sipas regjisorit Kryeziu do të jetë në kooprduksion amerikan, sipas burimeve të KultPlus, ishte pjesë e garës gjatë vitit të kaluar në QKK, por që juria nuk e kishte kaluar.

Po një shije më të hollë duket ta ketë pasur Qeveria e Kosovës, që përgjatë një mbledhje, me një vendim të shpejt ka aprovuar kërkesën e Kryeziut, që këtij të fundit ti ndahen 180 mijë euro.

Luan Kryeziu, skenarist dhe regjisor i këtij filmi ka deklaruar për KultPlus se kërkesën e tij për ta mbështetur këtë film e ka nisë në shumë institucione të Kosovës, në mënyrë që mos ta humbin rastin për një kooproduksion të këtij niveli.

“Nuk kam pasë kohë me pritë konkursin e QKK-së, se nëse pritnim, e humbnim rastin që të jemi pjesë e filmit”, ka thënë Kryeziu, i cili pretendon se pasi ka marë shumën prej 180 mijë eurove, ai tashmë e ka të garantuar që një pjesë e aktorëve të jenë edhe nga Kosova.  

“Unë punoj projekte që janë në interes të shqiptarëve, dhe kjo u pengon serbëve”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka njoftuar se filmi bën fjalë për temë të luftës, ku bëhet fjalë për një grua të rrëmbyer.

Luan Kryeziu ka thënë se është herët të bëhet e ditur për koston e përgjithshme të këtij projekti, dhe sipas tij, nuk duhet të bëhet kaq shumë zhurmë për realizimin e këtij projekti, por, sipas tij, këtij projekti do të duhej ti gëzohen të gjithë.

Ai ka shtuar se xhirimet e këtij filmi do të nisin në shtator të këtij viti, dhe para se të fillojnë xhirimet do të hapet audicioni.

Luan Kryeziu, sikurse që nuk ka bërë të ditur për koston e përgjithshme, ai në të njëjtën kohë ka thënë se është herët të flitet për produksionet që janë pjesë e këtij filmi nga SHBA.

“Së shpejti do të dalim me deklaratë zyrtare”, ka thënë Kryeziu, i cili deklaratën e fundit të MKRS-së, se ata nuk e kanë propozuar në Qeveri për sigurimin e mjeteve nuk ka dashur ta komentojë, por që vazhdon të qëndrojë në verzionine  tij, se kërkesa në Qeveri është bërë po nga MKRS.

“Me rëndësi që filmi po bëhet, dhe do të jetë një pasqyrim i të vërtetës sonë”, ka përfunduar Kryeziu./KultPlus.com

Të ngjajshme