Filmi “Rreze” i Lorena Sopit triumfoi në Barcelonë

1 Tetor, 2018 - 10:41 am

Filmi ‘Rreze’ (Ray) me regji të Lorena Sopit, i realizuar sipas një flete të ditarit të njohur të Rreze Abdullahut, mbrëmë ka fituar çmimin “Filmi më i mirë evropian” (Best Europa Film) në festivalin Europa Film Festival, i cili është mbajtur nga data 24 deri më datën 30 shtator në Barcelonë të Katalonisë, shkruan KultPlus.

Nga një konkurencë prej më shumë se 2700 titujsh, në mesin e 32 filmave të zgjedhur për programin zyrtar, Lorana Sopi ka pasur edhe filmin ‘Përjetësisht Fëmi’ por vetëm filmi ‘Rreze’ (Ray) është nominuar dhe ka fituar çmimin kryesor të festivalit.

Gjatë vitit të luftës 1999, Rreze Avdullahu kishte shkruar Ditarin e Frikës. Në ditëlindjen e nëntë të atij viti të shënjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste. Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje
dhe i thotë: Unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veç po due me mbetë gjallë… Ushtari nis e qanë. Rrezja befasohet sepse kishte menduar se ushtarët nuk qajnë kurr. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpëruar me botën që nuk është bërë më e mirë…

Në rolet kryesore luajnë: Agron Shala, Glorioza Shala, Aurita Agushi. Në rolet tjera paraqiten: Selman Lokaj, Beslidhje Bytyqi dhe Uran Duli. Drejtor fotografie: Besnik Hasolli. Zëri: Gëzim Rama. Kompozitor: Mendi Mengjiqi. Regjisore: Lorena Sopi.

Eshtë ky çmimi i dytë për filmin ‘Rreze’ i cili pas premierës në Cannes Film Festival – Short Corner, në muajin maj, tani ka filluar një rrugëtim të gjatë ndërkombëtar. Gjatë muajit tetor, filmi Rreze (Ray), do të shfaqet në programet zyrtare të disa festivaleve të njohura si: Goa Short Film Festival – Goa, Indi. ASA Humanitarian Film. Festival – Ëeimar, Gjermani. Sose International Film Festival – Yerevan, Armeni. Roma Independent Film Festival – Roma, Itali. International Film Festival Signes de Nuit – Paris, Francë, etj./ KultPlus.com

Të ngjajshme