22 Korrik, 2019 - 3:01 pm
Me regjia dhe skenari nga Zgjim Terziqi dhe producente Valmira Q. Hyseni, filmi i metrazhi të shkurtër “Salloni”, do të ketë premierën botërore në edicionin e 37-të të Rhode Island International Film Festival, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.
RIIFF është festival kualifikues për Oscar (në tri kategori), BAFTA dhe Canadian Screen Awards, i cili do të mbahet nga 6 deri më 11 gusht.
Filmi ”Salloni” është pjesë e garës ‘Narrative Shorts’ ku është përzgjedhur nga 6500 aplikime.
“Salloni” është një film i shkurtër, 14 minuta, i cili trajton një temë sociale në Kosovë nëpërmjet komedisë së zezë. Tek sa një nuse është duke u rregulluar për natën e dasmës në një sallon bukurie, familja dhe vjehrra e saj janë duke diskutuar për një vrasje të mbrëmshme ku një grua vrau burrin e saj. Ato kanë variante konfliktuoze të rrëfimit, por një gjë është e qartë, një grua e vrau burrin e vet. Cilat janë motivet dhe arsyet e saj, dhe çka në fakt ndodhi, mbetet të zbulohet. Ky film vë në dy pozicione një martesë me rezultate fatale dhe ditën e dasmës së një vajzë që ka ardhur të rregullohet në një sallon bukurie.
Në këtë film luajnë aktorët: Armond Morina, Irena Cahani, Xhejlane Tërbunja, May-Linda Kosumovic, Anisa Ismajli, Njomëza I. Fetiu, Bibi Qena, Sheqerie Buqaj, Marigona Pervetica, Lurni A Krasniqi dhe Jara Saqipi.
Pjesa tjetër e ekipës përbëhet nga: ko-producentet -Agon Syla dhe Petrit Ukëhajdaraj, drejtor fotografie- Almir Đikoli, inzhinier i zërit- Pellumb Ballata, montazher – Essat Fejza, muzika- Andrra, skenografia- Burim Arifi dhe Blendina Xhema, kostument- Hana J. Zeqa, grimi- Fiona Abdullahu, kolorist- Faris Dobrača, operatori i zërit- Nok Selmani, asistente e kostumeve- Lana Çitaku, asistent i kamerës- Milot H. Bunjaku, fotografe në set- Dea Buleshkaj, ndriçues- Arton Ademi, asistent skene- Azem Hoti dhe Blin Katona, best boy- Donat Krasniqi, grip- Driton Pacolli.
Filmi është mbështetur nga MKRS dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com