Filmi “Schauerfilm” i Lorena Sopit fiton “Gold Award” në Festivalin European Screen Awards

22 Maj, 2020 - 12:35 pm

Filmi  i metrazhit të shkurtër ‘Schauerfilm’ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka fituar ‘Çmimin e art’ (Gold Award) në Festivalin European Screen Awards, përcjellë KultPlus.

Filmi njëzetë minutësh me elemente të zhanrit fantastik trajton zhdukjet e çuditshme të studentëve në një shkollë të vjetër formë labirinthi misterioz, rreth së cilës thuren tregime të çuditshme. 

‘Schauerfilm’ që mban titullin e përdorur si parashenjë për ekspresionizmin gjerman në vitet e tridhjeta në kinematografi, është shpallur fitues në kategorinë e filmit të shkurtër evropian në edicionin e shtatë të festivalit European Screen Awards i cili është dashur të mbahet nga data 15 – 21 maj 2020, në Jakarta të Indonezisë, por i cili është mbajtur online për shkak të pandemisë COVIT19.

Është ky çmimi i katërt për këtë film nga 11 festivale ndërkombëtare në të cilat është shfaqur deri më tani. Ditët në vijim, filmi do të shfaqet në Fantastic Film Festival në Barcelonë, festival i cili poashtu do të mbahet online, kurse gjatë muajit qershor do të shaqet në New Directors – New Films Festival dhe në Dublin Independent Film Festival.


Filmi ‘Schauerfilm’ është prodhim i kompanisë AS Film Production nga Prishtina.

Në rolet kryesore të këtij filmi paraqiten: Agron Shala, Afrim Muçaj, Beslidhje Bytyqi, Ylber Bardhi, Kreshnik Malushi, Flutura Mustafa, etj.

Drejtor fotografie është: Besnik Hasolli. Zëri: Gëzim Rama. Skenograf: Uran Duli, Kompozitor: Mendi Mengjiqi. Regjisore: Lorena Sopi. / KultPlus.com

Të ngjajshme