Filmi shqiptar ‘Black Man’, në garë për çmim në festivalin e Egjiptit

28 Gusht, 2017 - 2:42 pm

Film “Black Man” me skenar dhe regji nga Gentian Selo vjen si një tjetër prodhim kinematografik shqiptar. Edhe pse filmi nuk është shfaqur ende për publikun shqiptar, ai do të jetë në garë për çmimin e madh në “Alexandria Mediteranean Film Festival”, që zhvillohet në qytetin e Aleksandrisë të Egjiptit. Ky festival këtë vit është në edicionin e tij të 33 dhe është një nga më të vjetrit në Evropë e gjithashtu është një nga dy festivalet më të rëndësishëm të Egjiptit. Festivali zhvillohet në muajin tetor, ndërsa më pas do të ketë dhe premierën për publikun në Tiranë. Rolet në filmin e tij regjisori ia ka besuar aktorëve si Klevis Bega, Jaho Guma, Julinda Emiri, etj. Personazhi kryesor në film është, Noeli vëlla i vajzës dhe që interpretohet nga aktori Klevis Bega. Aleksi është i dashuri i vajzës dhe që interpretohet nga Jaho Guma, Nayade është vajza që interpretohet nga Julinda Emiri në filmin “Njeriu i Zi”. Skenaristi dhe regjisori i filmit Gentian Selo vjen në këtë intervistë për gazetën “Standard” për të na folur dhe për na njohur më shumë rreth filmit “Black Man” dhe si ka arritur në Festivalin e Filmit në Egjipt.

Filmi “Black Man” do të jetë në garë për çmimin e madh në “Alexandria Mediteranean Film Festival”. Si ka arritur ky film deri në Egjipt?

Thjesht hyra në linkun e festivalit dhe bëra aplikimin dhe direkt mbas dy javësh më kthyen përgjigje: që e kanë pranuar në garë në kompeticionin e filmave me metrazh të gjatë për çmimin e madh. Përgjigja ishte shumë e shpejt dhe shumë kohë para festivalit, gati katër muaj dhe u kënaqa me të vërtetë shumë për arsye se mendova që vërtetë është pëlqyer. Më vonë u binda pasi pash që bordi drejtues i festivalit përbëhet nga shkrimtarët më me emër të Egjyptit dhe të them të drejtën une mendoj se skenari është pika më e fortë e këtij filmi.

Na tregoni diçka rreth filmit, subjekti i tij dhe si ka lindur idea për ‘’Black Man’’?

Ngjarjet zhvillohen në Tiranë dhe fillojnë me një çift që njihen e dashurohen, por papritur në jetën e tyre përfshihet dhe vëllai i vajzës që shfaqet si një person shumë karizmatik, por njëkohësisht edhe shumë mistik. Dhe kështu të tre sëbashku dalin nëpër qytet duke u argëtuar e duke bërë humor pafund, por një ditë me diell e gjithë kjo marrëdhënie e thellë mes tyre përfundon në mënyrën më të paimagjinuar të mundur.
Ndërsa idea lindi kur po shihja një dokumentar në divanin tim i shtrirë me qafën shtrembër e me njerën këmbë në tokë, por papritur tema më përfshiu thellë dhe u drejtova, u pozicionova dhe pakuptuar u hipnotizova. Ishte një dokumentar për “vrimat e zeza” të hapësirës” dhe mbasi dokumentari përfundoi realizova në mendjen time skenën kryesore , por që përket dhe me skenën finale të filmit.

Kur jeni ulur për herë të parë që e keni shkruar skenarin e tij dhe kur është finalizuar?

Kam filluar ta shkruaj skenarin në vitin 2006 në Firenze të Italisë, kur isha në shkolle dhe studioja për skenarist filmi dhe mbas tre muajve e përfundova.

Si është bërë përzgjedhja e aktorëve që interpretojnë në këtë film?

Aktorin kryesor Klevis Bega ma prezantoi një miku im dhe Klevisi mbasi lexoi skenarin më tha: Që unë këtë rol dua ta bëj dhe do më ngeli peng nëse nuk ma jep këtë mundësi. Me tipin që ka dhe me përkushtimin që më premtoi, me bindi dhe e zgjodha pa i bërë as ‘kinoprovën’. Ndërsa dy aktoret e tjerë Jaho Guma dhe Julinda Emiri i zgjodha nga studentet e Akademisë së Arteve, por kësaj radhe duke i bërë kinoprovën.

Pse titulli “Black Man’’?

Këtë nuk mund ta them për arsye se çdo ‘frame’ i filmit është bërë për të sqaruar këtë enigmë dhe do doja që të mbeteshe e tillë për spektatorët deri në fund të filmit.

Kur do ta ketë mundesinë publiku shqiptar për ta parë?

Besoj në mars të vitit ardhshëm filmi do ketë përfunduar rrugën e festivaleve dhe rreth kësaj periudhe do bëhet dhe premiera në Tiranë.(Intervista është realizuar nga Irini Meçe)/ KultPlus.com

Të ngjajshme