5 Nëntor, 2021 - 8:27 pm
Filmi i shkurtër ‘Thurje’ # Hashtag me skenar te Brikena Sopit dhe me regji te Lorena Sopit, do te shfaqet premiere italiane ne programin zyrtar të njërit ndër festivalet më të mëdha dhe me te vjetrat të Evropës, pikërisht ne edicionin jubilar te 75-te te International Film Festival of Salerno i cili mbahet nga data 22 nëntor deri me 28 nëntor të këtij viti.
Festivali i krijuar ne vitin e parë të pasluftës se Dytë Botërore ishte themeluar nga ikonat e filmit Italian si Vittorio De Sica, Ignazio Rossi, Matteo Della Corte dhe Achille Guglielmi. Edicioni i parë i këtij festivali është mbajtur në vitin 1946 në Spitalin e Salernos, e vetmja godine e shpëtuar pa dëmtuar nga Lufta e Dyte Botërore. Që nga atëherë nëpër këtë Festival kanë kaluar pothuajse të gjithë emrat e mëdhenj të kinematografisë italiane dhe asaj botërore. Festivali mbledh mbi dhjetë mijë spektator në çdo edicion dhe ka vëmendje të madhe të mediave.
Filmi Thurje # Hashtag, i cili ka pasur premierën botërore ne Star Hollywood Film Festival ne shtator të këtij viti, deri me tani ka fituar pesë çmime ndërkombëtare:
1. Grand Jury Prize – Brandenburg Film Festival, Berlin 2021.
Best Short Film – Tagore International Film Festival – Filipine 2021
Best Short Film – Druk International Film Festival, Paro Bhutan 2021
Outstanding Achievement Award – World Film Carnival, Singapore 2021
Outstanding Achievement Award – Star Hollywood Film Festival, LA 2021Filmi Thurje # Hashtag trajton jetën e dyfishtë virtuale që tashmë mund të konsiderohet si një lloj pandemie globale. Zana dhe Tina, dy vajza të reja, janë studente universiteti dhe ndajnë bashkë një dhomë banimi. Ato janë të dhëna shumë pas rrjeteve sociale dhe kohën më të madhe e kalojnë të lidhura me telefon mobil. Zana, bënë edhe foto sesione speciale për të krijuar një jetë virtuale të cilën e gjakon. Edhe personat me të cilët ajo është e lidhur e për të cilët beson se janë të rëndësishëm, të pasur e të suksesshëm, në realitet janë po ashtu persona fiktiv dhe te paqenë. Zana, madje organizon edhe seanca mësimi se si duhet krijuar imazhi virtual i një personi. Ajo e subordinon Tinën dhe e tërheq në botën e saj. Tina ka dilema. Megjithatë përpiqet ta përcjell Zanën, por përpiqet edhe të mësoj dhe të zë dije në lëmine e shkencës që ajo e studion. Kur fiksionet e Zanës për jetën virtuale dhe mediat sociale kapërcejnë kufijtë e normales, Tina e kundërshton atë duke ia bërë me dije se ajo ka ardhur në kryeqytet për të mësuar dhe për tu bërë dikushi me dije. Ajo, paralajmëron Zanën se me këtë logjikë, nuk do te mund te vazhdojnë tutje bashkë. Hendekun mes dy shoqeve e thellon edhe më shumë momenti kur Tina bjen prej provimi dhe kërcënon Zanën se udhët e tyre do të ndahen përfundimisht. Zana vazhdon të krijoj personalitetin e rrejshëm dhe të ëndërroj se jeta saj virtuale një ditë do të bëhet realitet. Ajo madje krijon një lidhje serioze me një person te tillë fiktiv. Por kur del në takim me ‘personin e ëndrrave’, zhgënjehet meqenëse kupton se ai person është një i moshuar të cilin ajo e ka angazhuar si fotograf për t’ia sajuar jetën virtuale. Zana, e dëshpëruar, kthehet në banesë dhe merr vendim te ndryshoj jetën. Ajo, i kthehet pikturës. Autoportretit të lënë përgjysmë.
Ne rolet kryesore luajnë aktorët Vjollca Tasholli, Blerta Gubetini dhe Bislim Muçaj.
Producent ekzekutiv: Uran Duli, Grimi: Miranda Hetemaj, Kostumografe: Jeta Bajrami, Skenografe: Alba Bytyqi, Zëri: Beslidhje Bytyçi, Muzika: Memli Kelmendi, Asistent i regjisores: Ermal Duli, Drejtor i fotografisë: Lorenc Pelushaj, Skenariste: Brikena Sopi, Regjisore dhe Producente: Lorena Sopi . Prodhoi AS Film Production nga Prishtina./KultPlus.com