Filmi ‘Thurje’ triumfon në Lagos të Nigerisë

30 Gusht, 2022 - 1:21 pm

Filmi i shkurtër “Thurje # Hashtag” me skenar të Brikena Sopit dhe me regji të Lorena Sopit, ka fituar Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër të bërë nga një regjisore ndërkombëtare /(Best movie by a non african female director) në Realtime International Film Festival, i cili ka përfunduar të dielën në Lagos të Nigerisë. Është ky çmimi i dhjetë ndërkombëtar për filmin e realizuar nga AS Film Production nga Prishtina. 

Filmi “Thurje # Hashtag” trajton jetën e dyfishtë virtuale që tashmë mund të konsiderohet si një lloj pandemie globale. Zana dhe Tina, dy vajza të reja, janë studente universiteti dhe ndajnë bashkë një dhomë banimi. Ato janë të dhëna shumë pas rrjeteve sociale dhe kohën më të madhe e kalojnë të lidhura me telefon mobil. Zana, bënë edhe foto sesione speciale për të krijuar një jetë virtuale të cilën e gjakon. Edhe personat me të cilët ajo është e lidhur e për të cilët beson se janë të rëndësishëm, të pasur e të suksesshëm, në realitet janë po ashtu persona fiktiv dhe te paqenë. Zana, madje organizon edhe seanca mësimi se si duhet krijuar imazhi virtual i një personi. Ajo e subordinon Tinën dhe e tërheq në botën e saj. Tina ka dilema. Megjithatë përpiqet ta përcjell Zanën, por përpiqet edhe të mësoj dhe të zë dije në lëmine e shkencës që ajo e studion. Kur pasioni i Zanës për jetën virtuale dhe mediat sociale kapërcen kufijtë e normales, Tina e kundërshton atë duke ia bërë me dije se ajo ka ardhur në kryeqytet për të mësuar dhe për tu bërë ‘dikushi’ me dije. Ajo, paralajmëron Zanën se me këtë logjikë, nuk do te mund te vazhdojnë tutje bashkë.

Hendekun mes dy shoqeve e thellon edhe më shumë momenti kur Tina bie prej provimi dhe kërcënon Zanën se udhët e tyre do të ndahen përfundimisht. Zana vazhdon të krijoj personalitetin e rrejshëm dhe të ëndërroj se jeta saj virtuale një ditë do të bëhet realitet. Ajo madje krijon një lidhje serioze me një person te tillë fiktiv. Por kur del në takim me ‘personin e ëndrrave’, zhgënjehet meqenëse kupton se ai person është një i moshuar të cilin ajo e ka angazhuar si fotograf për t’ia sajuar jetën virtuale. Zana, e dëshpëruar, kthehet në banesë dhe merr vendim te ndryshoj jetën. Ajo, i kthehet pikturës. Autoportretit të lënë përgjysmë.

Ne rolet kryesore luajnë aktorët: Vjollca Tasholli, Blerta Gubetini dhe Bislim Muçaj.

Producent ekzekutiv: Uran Duli, Grimi: Miranda Hetemaj, Kostumografe: Jeta Bajrami, Skenografe: Alba Bytyqi, Zëri: Beslidhje Bytyçi, Muzika: Memli Kelmendi, Asistent i regjisores: Ermal Duli, Drejtor i fotografisë: Lorenc Pelushaj, Skenariste: Brikena Sopi, Regjisore dhe Producente: Lorena Sopi . Prodhoi AS Film Production nga Prishtina. / KultPlus.com

Të ngjajshme