Filmi vendor “Bomba” me premierë në Prishtinë, Fetahu: Këtë film ia kemi borxh popullit tonë

29 Korrik, 2022 - 11:43 pm

Nën vazhdën e zhanrit aksion, triller dhe dramë, mbrëmë në hapësirat e ‘Cineplexx Kosova’, premiera e filmit vendor me metrazh të gjatë “Bomba” ka bërë bashkë figura të njohura të kinematografisë kosovare dhe asaj shqiptare, shkruan KultPlus.

“Bomba” vjen bazuar në ngjarje të vërteta të ndodhura në luftën e fundit në Kosovë. Nga situata dramatike, rrëqethëse, e herë edhe komike, filmi ka mbajtur vëmendjen e publikut qysh nga nisja e deri në përfundim.

Ndërkaq, kasta e mrekullueshme e përbërë nga Enver Petrovci, James Fetahu, Fatos Kryeziu, Bislim Muçaj, Rremë Thaqi, Dibran Tahiri, Avni Hoti, Selami Taraku, Kadrije Canolli dhe shumë të tjerë që i përkasin skenës tonë filmike, ka bërë që pritshmëritë për publikun vendas, të jenë të larta.

Artistë e artdashës kanë mbushur sallën plot për të parë nga afër premierën e filmit “Bomba”, film ky që ka rezultuar nga një punë tri vjeçare nëpër terrenet e Kosovës.

Skenat e ndryshme të vrasjes, përdhunimit, masakrimit veçse ishin të ndërlidhura me të vërtetën e popullit tonë. Ndërsa, do të jetë bomba që lëshohet nga NATO pikërisht në orën 17:00, ajo që do të shpëtojë personazhet kryesorë të këtij filmi.

Për të treguar më shumë rreth krijimit të këtij filmi dhe vështirësitë përgjatë procesit, për KultPlus ka folur regjisori James Fetahu.

“Skenarin e filmit e kam pasur qysh moti por kushtet nuk kanë qenë të pjekura dhe ne kemi pritur me vite të tëra për të ardhur një ditë e mirë kur më në fund ne kemi mundësi për të dal e për të xhiruar në set dhe njëkohësisht duke dhënë më të mirën sepse ia kemi borxh popullit tonë dhe në fund të fundit, filmi është kombëtar”, thotë ai.

Sipas tij, të qenurit regjisor dhe njëkohësisht edhe aktor në një film, ka qenë tejet sfiduese dhe e vështirë.

“Ka qenë shumë sfiduese se njëkohësisht kam pasur dy role, por njëlloj edhe e vështirë por unë po shpresoj që mundimet harrohen dhe mbetet vetëm një rezultat i mirë. Ky film na ka marrë tri vjet të mira xhirime nëpër Kosovë por vlen të theksohet që fundi ka dal shumë bukur dhe të shihni se e vërteta është pak më ndryshe. Unë po pres që filmi ka për t’u parë dhe do të pëlqehet dhe për këtë jam i sigurt”, shpalos Fetahu.

Në premierën e filmit ‘Bomba’ në Prishtinë ishin të pranishëm edhe Petrit Domi, Dardan Sadiku, Kadrije Canolli, Bislim Muçaj dhe Enver Petrovci, të cilët ende pa e parë filmin, kanë shpresuar se publikut do t’i pëlqej.

“Në emër të ekipit të filmit, sigurisht që ky film s’do të kishte kuptim pas njerëzit që kanë qenë mbrapa me ditë, me natë e me muaj pa asnjë cent, vetëm me dashuri të madhe, andaj i falënderoj shumë”, ka thënë regjisori Fetahu.

Ndërsa, aktori Enver Petrovci ka cilësuar lartë punën e regjisorit si dhe mundin e tij përgjatë tri viteve.

“Është vërtetë bukur që pas tri viteve kokëfortësie, besimi, punë, dashurie ndaj punës së vet, që po përfundon në këtë mënyrë dhe jo kudo por në Cineplexx. Në Cineplexx, sa unë kam informata, nuk mund të hyj çdo film dhe të prish nivelin e kësaj platforme”, thotë ai.

Sipas tij, kur ai ka dëgjuar se ky film do të shfaqet atje, atij i ka ardhur shumë mirë.

“Kur dëgjova se ky film do të shfaqet këtu, më erdhi shumë mirë dhe pikërisht nga ky fakt se ky film po luhet këtu tregon për nivelin e tij. Po flas pa e parë filmin dhe kur ta shoh, ndoshta meriton edhe shumë më tepër. Por sidoqoftë, sado që është krenari për neve, vetëm shpirti i tij e din se çka do të thotë të bësh film pa asnjë cent”, thotë Petrovci.

Përpos një kaste të aktorëve që tashmë kanë lënë gjurmët e tyre nëpër kujtesën e gjithsecilit, ky film ka paraqitur edhe fytyra të tjera të reja që në këtë film patën një paraqitje të mrekullueshme. Dëshmi për këtë ishin edhe duartrokitjet e shumta që pasuan në përfundim të filmit.

Ndërkaq, filmi ‘Bomba’ do të fillojë të shfaqet nga sonte në kinemanë Cineplexx në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme