17 Gusht, 2020 - 2:36 pm
Suada Qorraj
Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini do të jetë pjesë e festivalit të njohur amerikan New York True Venture Festival (NYTVFF).
Lajmin për KultPlus e ka bërë të ditur vet regjisori i cili ka thënë se ka pasur ftesë speciale që të marrë pjesë në këtë festival, por që është shtyrë si pasojë e pandemisë.
“Unë kam pas ftesë speciale nga festivali që të jem pjesëmarrës mirëpo pandemia e ka shtyrë këtë festival. Jemi në pritje dhe të disa festivaleve. Filmi ka një çmim si skenari më i mirë, para se të prodhohej, tani po presim vlerësime tjera”, ka deklaruar Tertini.
Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.
Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
“Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë. Ndërkaq gjatë muajit korrik të këtij viti “Vulë” shënoi edhe premierën e tij evropiane në festivalit të njohur italian BCT. / KultPlus.com