Filmi “Vulë” nga Valmir Tertini pjesë e festivalit ‘Ayodhya Film Festival’

11 Dhjetor, 2020 - 12:05 pm

Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini është përzgjedhur të jetë pjesë e festivalit ‘Ayodhya Film Festival’ (AyoFF) 2020, shkruan KultPlus.

Me qëllim për të ekspozuar përmbajtjen më tërheqëse dhe inovative, festivali tre ditor AyoFF 2020 është planifikuar të mbahet nga 17-19 Dhjetor, 2020, por për shkak të rrethanave të krijuara nga Covid-19, ashtu si edhe festivalet e nivelit të lartë të Filmit si Cannes, Sundance dhe Toronto, edhe AyoFF do të mbahet virtualisht.

Filmat do të shfaqen falas në YouTube nga data 13 deri më 19 dhjetor dhe do të jenë të disponueshëm për të gjithë e në mesin e tyre edhe filmi shqiptar “Vulë”.

Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.

Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

“Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë. Ndërkaq gjatë muajit korrik të këtij viti “Vulë” shënoi edhe premierën e tij evropiane në festivalin e njohur italian BCT. Kujtojmë që deri më tani filmi “Vulë” ka fituar 5 çmime. / KultPlus.com

Të ngjajshme