Filmi ‘Zana’ hap edicionin ‘Film Flaka 2025’

19 Janar, 2025 - 12:01 pm

Shfaqja e filmave shqip, produksion i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka hapur të shtunën “Film Flaka 2025”, që do të pasohet me prezantimin e filmave tjerë të dielën dhe të hënën, më 19 e 20 janar 2025, në kuadër të kalendarit të paraparë nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e Komunës së Gjilanit, në vargun e aktiviteteve të gjithëmbarshme të manifestimit “Flaka e Janarit”.

Në filmin “Zana” me “vulë” regjisoriale të Antoneta Kastratit, paraqitet një kastë e shquar aktorësh, emra të dëshmuar të skenës sonë, si asaj kinematografike ashtu edhe teatrale/skenike.

Ngjarja në film pasqyron dramën tronditëse emocionale që e përcjell fatin e një gruaje në një skaj të Kosovës, e cila përpëlitet për të gjetur satisfaksion nga pesha e rënduar që i kanë shkaktuar plagët e thella të vargojve të jetës së pamëshirshme, ndërsa, njëkohësisht, ironikisht ndodhet edhe para një sprove tjetër të rezervuar nga fati i i saj i pamëshirshëm, sprovë që determinohet tradicionalisht nga normat konvencionale të jetës së gruas rurale.

Përballja me vështirësi të dyfishtë, e vë në sprovë të thellë krypersonazhin, Zanën, të cilën me delikatesë e ka trajtuar dhe zhvilluar aktorja Adriana Matoshi e mbështetur nga kasta përcjellëse profesionale e aktorëve të skenës kosovare.

Sipas përshkrimit, filmi “‘Zana” me producent Casey Cooper Jonson, ka shënuar suksese të ndryshme në rrugëtimin e tij, duke shëtitur nëpër festivale të ndryshme pas premierës në festivalin e madh të Torontos së Kanadasë, në shtator të vitit 2019.

Filmi: “Zana”, 2019, regjisore: Antoneta Kastrati, rolet: Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safçiu, Irena Cahani, Vedat Bajrami, Shengyl Ismaili etj.

Filmi është bashkëprodhim në mes Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-ve, i financuar nga Qendra Kinematografike Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri./ KultPlus.com

Të ngjajshme