15 Prill, 2019 - 3:00 pm
Bekim Fehmiu ose më qartë aktori i madh i “Odisesë” në rolin e Uliksit në krah të Irene Papas, njohur nga shqiptarët më vonë si një hero kinematografie, ka vizituar Shqipërinë në vitin 1972.
Ishte akoma një kohë “liberalizmi” dhe akoma nuk kishte filluar goditja vdekjeprurëse artit dhe kulturës në Shqipëri nga Enver Hoxha, e në këtë fazë, është lejuar edhe vizita e një aktori të tillë të madh, në vëndin më të izoluar ndoshta të të gjithë botës. Në një fletë të muzeut të atëhershëm në Shkodër, në datën 30 prill 1972, aktori i madh shqiptar shkruan me dashuri për Shkodrën: Jam i lumtur që mbas tridhjetë e nji vjetë të gjindem në Shkodër, në qytet ku kam kaluar vitet e para të fëminisë s’ime, rrajët kishin qënë të thella dhe të pa shpërngulta…..Bekim Ibrahim Fehmiu….Shkodër me 30-Prill. 1972.
Një gjuhë e bukur në një shqipe të veriut dhe sidomos shprehja “ të pa shpërngulta” në atë kohë ishin shumë domethënëse për të gjithë ato që kishin mundësi ti lexonin. Një dedikim dhe përshtypje e ndjerë e një kosovari “gjysëm shkodran” me origjinë nga Gjakova, që kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij dhe fillimin e shkollës në qytetin e Shkodrës. I jati tij Ibrahim Fehmiu, i lidhur me patriotët anti serbë, por edhe me një përndjekje të gjatë, ka qenë një mësues si në vitet 20-të, por edhe një qytetar i Shkodrës në vitin 39-të dhe drejtor didaktik i shkollave fillore.
Sikundër thotë dhe djali i aktorit të madh që tashmë nuk jeton Uliksi, emrat e fëmijëve të Ibrahimit ishin vënë kështu: Vajza më e madhe u quajt Besa, fjalë e nderit, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse e shqiptarëve; Shpresa do të thoshte shpresë në ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim, djali i parë, në kuptimin e bashkimit të shqiptarëve; Arsim, arsimimi i popullit; Fatmir, fat i mirë për popullin; Bekim, babai im, donte të thoshte bekimi i popullit; Afërdita, agimi është afër për popullin shqiptar dhe Luljeta, lulja e jetës.
Afërdita është edhe vajza që ka lindur në Shkodër. Por një pjesë e madhe e fëmijëve kanë qënë në shkollë në qytetin e madh verior në shkollën “Skanderbeg” të lagjes Rus. Bekimi është larguar nga Shkodra në vitin 41 dhe në këtë mënyrë ai shkruan i qartë dhe mungesën prej 31 vitesh në qytetin ku ka mësuar për herë të parë të lexojë.
Në Shkodër në atë kohë, edhe pse me një kujdes të madh nga ana e autoriteteve si të partisë e cila kontrollonte gjithshka dhe më në prapavijë atyre të sigurimit, e kanë pritur me një gëzim dhe respekt të madh njerzit, sidomos ato të kulturës dhe artit. E gjithë trupa e teatrit “Migjeni” dhe pjesët intelektuale të qytetit, por dhe kulturës në veçanti, kanë mundur të jenë afër tij. Shoqëruesi i përhershëm i Fehmiut ka qënë drejtori i atëhershëm i teatrit Jovan Vojushi që nuk jetom më. Fehmiu i veshur në mënyrë të kohës, por tepër serioz, ka dalë në disa dhjetra foto me të ndjerët Serafin Fanku e Tano Banushi, Vitore Nino e Bep Shiroka, por edhe Bik Pepa e Mërgim Muhja si dhe të tjerë, të cilët nuk janë më. Janë në foto në një gëzim të veçantë shumë artistë të skenës shqiptare, letrarë dhe kompozitorë e këngëtarë të Shkodrës.
Janë në foto me Fehmiun, Fadil Kraja, Esat Kola, Ymer Bala dhe Katrina Biga, Bik Ndoja dhe Mark Kaftalli, Paulin Preka dhe i riu Zef Deda në atë kohë, e vogla e asaj kohe Violeta Zefi, por dhe Bruno Shllaku etj etj. Me aktorin e madh janë shumë e shumë artistë, dhe patjetër Fehmiu ka takuar ose më mirë të themi është lejuar të takojë edhe qytetarë të ndryshëm në rrugët e Shkodrës. Ai ka takuar edhe bashkëshorten e Bajram Currit dhe familjen e saj në Shkodër, ka vizituar Muzeun e Shkodrës, dhe ka takuar shumë njerëz të historisë dhe letrave, në mes tyre edhe prof Karahman Ulqinin, por edhe shumë të tjerë, dhe është interesuar në mënyrë të veçantë për historinë. Në një nga sektorët ku ka qënë edhe historia e Gjergj Kastriotit, Fehmiu i emocionuar shumë, ka kujtuar se “duhet një film i madh i luajtur nga një shqiptar për Skënderbun” dhe nga kjo batutë, ka dalë edhe e thëna e asaj kohe, se Bekim Fehmiu, ka kërkuar të luajë Skënderbun.
Në fakt, Fehmiu ka treguar se nuk ka një film për Skënderbeun, të luajtur nga një shqiptar, duke ditur se aktori i filmit të realizuar kryesisht nga sovjetikët, ishte një aktor gjeorgjan. Vizita e Fehmiut, ka bërë një bujë të madhe në qytetin e Shkodrës dhe duhet thënë se në atë kohë një aktor i tillë, i përmasave të mëdha, që kishte luajtur një nga filmat më të realizuar për “Odisenë”, është parë edhe me interesin e madh të një “lirie” dhe kontakti me botën. Fehmiu ka vizituar edhe në shtëpinë e dikurshme, dhe është interesuar edhe për të dhëna të tjera mbi familjen dhe sidomos të jatin e tij.
Është interesuar për të shkuarën e familjes dhe miqësitë e dikurshme, apo edhe për emra të komshive. Bekim Fehmiu në atë kohë pinte shumë cigare, dhe në një rast i kanë afruar një cigare nga markat e reja të prodhimit të fabrikës së Shkodrës, e batuta e asaj rradhe ka qënë sipas njerzve prezent në takimet me të: Ky po, që është duhan i fortë, dhe i pastër si vetë ky qytet. Një ditë mbas Bekim Fehmiu mori pjesë në tribunë në paradën e “1 Majit” në Tiranë dhe normalisht që tërhoqi vëmëndjen e madhe të njerzve, që vizitën e tij, e shikonin si një premisë të një lëshimi nga diktatura.