9 Janar, 2020 - 7:00 pm
Më në fund është publikuar fragmenti i ri për “The New Mutants”, i cili na konfirmon se 20th Century Fox është vërtet i vendosur që filmi përfundimisht të realizohet. Josh Boone është regjisor, ndërsa filmi është i bazuar në një skenar të shkruar nga Boone dhe Knate Lee.
Filmi fillimisht u xhirua në vitin 2017. Boone thuhet se dëshironte ta bënte filmin më shumë si horror, por në Fox e donin një version pak më të butë, shkruan KOHA Ditore. Thashethemet për problemet në produksion u intensifikuan vetëm kur Fox e zhvendosi datën e publikimit nga prilli 2018 në shkurt 2019 për të arritur që t’i ri-xhirojnë disa skena.
Ky ri-xhirim i disa skenave nuk ndodhi dhe filmi u shty përsëri në gusht të vitit 2019, por në fund çdo gjë ngeci pasi që Disney e bleu Foxin dhe e mori pronësinë e filmit të papërfunduar.
Edhe pse shumë kishin frikë se në fund filmi nuk do të realizohej, Disney prapë vendosi ta publikojë atë, qoftë vetëm në edicion të kufizuar.
Traileri i ri u publikua një vit e disa muaj pasi që patëm mundësinë t’i shohim kuadrot e para. Në film luan Maisie Williams, Anya Taylor-Joy, Charlie Heaton, Henry Zaga, Blu Hunt dhe Alice Braga.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, filmi do të duhet të shfaqet në kinema më 3 prill të këtij viti. /KultPlus.com