4 Janar, 2020 - 10:30 pm
Nga Paramount Studios premtuan se do ta kemi trilerin e parë të plotë për “A Quiet Place Part 2” në natën e Vitit të Ri, dhe ky premtim është realizuar.
Në paralajmërimin e ri mund t’i zbuloni disa gjëra për të cilat me siguri e keni pyetur veten ndërsa e keni shikuar “A Quiet Place” në vitin 2018, megjithatë fragmenti fillon me një skenë në të kaluarën, ku mund ta shohim momentin kur mbërritën në Tokë jashtëtokësorët dhe Emily Blunt në rolin e Evelyn Abbott me fëmijët e saj (Millicent Simmonds dhe Noah Jupe) përpiqen të vrapojnë drejt një vendi të sigurt, shkruan KOHA Ditore. Fragmenti kthehet në të tashmen, kur mund të shohim se familja e saj, e përforcuar me të porsalindurin në fund të origjinalit, përsëri e kërkon rrugën drejt vendit të sigurt pas ngjarjeve nga filmi i kaluar dhe humbjes së një anëtari të familjes.
Familja Abbott gjatë rrugës do të takohet edhe me disa njerëz të cilët mbijetuan nga jashtëtokësorët, ndërsa ndër të mbijetuarit janë anëtarët e rinj të formacionit të aktorëve Cillian Murphy dhe Djimon Hounsou. Dhe ndërsa e kërkojnë rrugën për në vend të sigurt, heronjtë tanë do ta kuptojnë se përbindëshat nuk janë e keqja e vetme që i kërcënon ata dhe se jo të gjithë njerëzit që mbijetojnë janë miqësorë.
John Krasinski e ka bërë regjinë dhe skenarin për The Quiet Place 2. Origjinali në fitin 2018 i fitoi 340 milionë dollarë në të gjithë botën dhe ishte një hit i madh dhe i fitoi disa çmime (buxheti i tij ishte vetëm 17 milionë dollarë).
Filmin “A Quiet Place 2” e presim në kinema më 20 mars. /KultPlus.com