Franca në ditë zie për maestron e kinemasë, Jacques Perrin

22 Prill, 2022 - 7:30 pm

Franca i jep lamtumirën aktorit, regjisorit dhe producentit të madh, Jacques Perrin, i cili u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, në Paris.

Perrin ka lindur në Paris më 13 korrik 1941. Nga vitet 1950 deri më sot, ai ka xhiruar në mbi 70 filma, duke përfshirë kulme artistike, si: “Les Demoiselles de Rochefort” në 1967 dhe “Peau d’âne” në 1970. Ai ka pasur një lidhje të ngushtë edhe me Italinë.

Shumë artdashës kujtojnë interpretimet e tij, në kinemanë italiane.

Roli i të riut Lorenzo Fainardi të dashuruar marrëzisht me Claudia Cardinalen, në “Vajza me valixhe”, nga Valerio Zurlinit (1961) ruhet në kujtesën kolektive. Në vitin 1966, Perrin fitoi dy çmime si aktori më i mirë, në Festivalin e Filmit në Venecie, për filmin italian “Un uomo a mezzo” dhe për filmin spanjoll “La busca”.

Më  1988, ai luajti rolin e Salvatores, në filmin “Nuovo Cinema Paradiso”, realizim nga Giuseppe Tornatore, i vlerësuar me “Oscar”, për filmin më të mirë të huaj, viti 1990. Sekuenca e fundit e këtij filmi është e famshme, me puthje të censuruara ndër vite, por “të shpëtuara” nga projeksionisti (Philippe Noiret). I paharrueshëm ishte edhe interpretimi i tij në filmin “Në emër të popullit sovran”, ky nga Luigi Magni (1990), një film historik, ku ai interpretoi rolin e priftit, Ugo Bassi.

Jacques Perrin ka qenë po ashtu bashkëprodhues në rreth pesëmbëdhjetë filma, nga vitet 1960 deri më sot, duke përfshirë: ‘Costa-Gavras ”Z” (1968), “Shkretëtira e Tartarit” (1977) nga Valerio Zurlini, në të cilin ai luajti edhe rolin e protagonistit, togerit Giovanni Drogo ose “Les Choristes” (2004) të nipit të tij, Christophe Barratier.

I lidhur veçanërisht me luftën në mbrojtje të natyrës, betejë kjo e përjetshme e artistit, ai u njoh edhe si bashkëprodhues në dokumentarë të shumtë mbi këtë temë. Më vonë, Perrin u bë autori i dokumentarëve, si “Océans” (1999) dhe “Il popolo migratore” (2001), që u ndoq nga 2.9 milionë shikues vetëm në Francë, duke fituar çmimin “César”, për dokumentarin më të mirë të vitit: 2011-ta.

Roli i tij i fundit në film ishte në trillerin nga Frédéric Tellier, “Goliath”, që u shfaq në Francë, marsin e kaluar – realizim ky, që trajton çështjen e lobimit dhe pesticideve. Sot, Franca mban zi, për një nga kineastët e saj më të mëdhenj. / KultPlus.com

Të ngjajshme