18 Nëntor, 2019 - 7:47 pm
Para pak ditësh ndërroi jetë regjisorja Arzana Kraja.
Komuniteti artistik mbajti edhe një akademi përkujtimore për të kujtuar punën e regjisores së njohur.
Ajo çka ka mbetur është puna nga bagazhi artistik i Krajës, plot filma e dokumentare dhe angazhime tjera artistike të cilat Arzana Kraja i bënte me profesionalizëm e disciplinë.
Para pak muajsh, filmi i saj “Fusha e Mëllenjave” pati premierën në Prishtina International Film Festival, dhe kjo mbetet puna e fundit e Krajës, 38 vjeçare.
Një tjetër film në të cilin Arzana shkëlqeu si regjisore është filmi “Shkurta”. Shkurta dhe babai i saj shpëtojnë nga lufta por tani duhet të përballen me realitetin që i pret, realitet i ri dhe i frikshëm për ta.
Arzana Kraja për shumë vite ka punuar edhe në serialin ‘Kafeneja Jonë’. Seriali me të cilin plot gjenerata në Kosovë janë rritur, mban vulën edhe të Arzana Krajës dhe ideve të saj gjeniale si regjisore e shpesh edhe skenariste.
Kraja ishte edhe autore e tetë filmave të shkurtër si “Kulla e sahatit”, dhe disa dokumentarë si “Përmes syve të mi” dhe “Kosova ime”.
Arzana Kraja ka punuar edhe me organizata të ndryshme dhe ka qenë pjesë e industrisë së televizionit. Ajo së fundmi ishte angazhuar edhe me monografinë për Muharrem Qenën, ndërsa po realizonte video edhe për organizata vendore e të huaja. / KultPlus.com