Fytyra tjetër e “Dorëzimit të Shkodrës” më 1913, mjerimi ekstrem

19 Tetor, 2018 - 4:20 pm

Për herë të parë prezantohet në Tiranë filmi pa zë. i xhiruar në vitin 1913 në Shqipëri. “Rrethimi i Shkodrës” tregon se si jetonin shqiptarët para një shekulli.

Projekti dyvjeçar për restaurimin e materialit filmik “Dorëzimi i Shkodrës” më në fund dha frytet e veta, shkruan Shekulli. Mbrëmjen e së mërkurës u prezantuan gjithashtu në kinema 6 kronika të xhiruara 100 vite më parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Në një kohë që kinemaja ishte në vitet më të hershme të saj, “Dorëzimi i Shkodrës” vjen edhe si dëshmi e rrugëtimit të operatorëve anë e mbanë botës, shpesh duke dalë edhe në front të luftës e duke rrezikuar jetën e tyre. Xhirimet e filmit të saporestauruar janë bërë në përfundim të “Rrethimit të Shkodrës” në vitin 1913, pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore kur Shqipëria sapo kishte shpallur Pavarësinë.

Drejtorja e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Iris Elezi gjatë mbrëmjes së djeshme shprehu entuziazmin e saj për premierën botërore të filmit arkival . “Dorëzimi i Shkodrës”, është një projekt dyvjeçar, që ka punuar Arkivi i Filmit me konitekën e Malit të Zi edhe me laboratorin e Hungarisë. Është mrekulli që pas dy vitesh restaurimi, të kesh mundësi që ta ndjekësh filmin me audiencën tënde!”. Filmimet e “Dorëzimit të Shkodrës” të siguruara asokohe nga operatori i “Pathe Journal” tanimë do të përbëjnë materialin më të vjetër në Arkivin Qendror të Filmit. Filmi “i heshtur” gjatë mbrëmjes të së mërkurës nuk fliste vetëm me pamjet e rënda si dëshmi e asaj që ka ndodhur në luftën e ashpër për “Dorëzimin e Shkodrës”… Muzika origjinale e kompozuar nga Adorel Haxhiaj në cello dhe Astrit Stafai në oud ishte një tjetër element pikant që mbajti vëmendjen e publikut të mbërthyer pas ekranit.

Elezi gjatë premierës foli gjithashtu për magjinë e veçantë që merr artisti dhe artdashësi kur shikon një film si “Dorëzimi i Shkodrës”, jo vetëm në aspektin e rëndësisë së historisë së kinematografisë, por edhe në atë të kostumeve, të qyteteve dhe të mjedisit. “Mendoj se ka ardhur koha që të provojmë në më të mirën tonë që të pasurojmë arkivet, prandaj jam shumë e lumtur që kur ky material arkival u gjet falë projektit të kinemasë shqiptare që po bënte një workshope në Tiranë, u hodh fara që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Nëse ne nuk njohim se kush jemi, nuk do ta dimë asnjëherë se ku ne shkojmë”, u shpreh Elezi, duke shtuar se sado të dhimbshme të jenë imazhet e filmit ato përmbajnë jetë, informacione edhe materiali duhet që të mbahet edhe të ruhet për ta parë më tutje. Elezi u shpreh me superlativa për vlerat e rralla që mbart ky material filmik, duke theksuar se pavarësisht se kinooperatori është i paidentifikuar, filmimet janë bërë sikur të ishin realizuar nga një kinooperator i Hollivudit. “Ne jemi me fat se duket sikur është xhiruar jo 105 vite më parë, por pikërisht sot”. Pa bërë me dije emrin e personazhit, Elezi u shpreh se paralelisht Arkivi është duke vijuar punën për të kërkuar në Amerikë materiale të tilla të rralla edhe për personalitet të vendit tonë.

Pamjet filmike janë të xhiruara në fushëbetejë, operatori rrezikon në çdo çast jetën e tij. Që në fillim të filmit mund të shihet Kështjella e vjetër e Shkodrës dhe kodra e Taraboshit ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme. Mandej pasojat e luftës të mbijnë në çdo sekuencë e fotografi, vendi duket i rrënuar ngado. Tensioni zien si për të paralajmëruar se gjërat do të rëndohen edhe më… Shkodra edhe pse në grahmat e fundit përsëri reziston. Armatimi dhe municioni turk tanimë kanë kaluar në duar të malazezëve. Në “Dorëzimin e Shkodrës”, filmimi të jep mundësinë të shikosh dy anë të medaljes duke ofruar pamje si ajo e grave malazeze që ndihmojnë burrat për të transportuar materialet ushtarake para se të nisen për në front. Operatori gjatë filmimit ka fiksuar tiparet e ushtarakëve shqiptarë që u vunë në shërbim të malazezëve. Nga ana tjetër, ai përjetëson pamjen e njërit nga komandantët më të moshuar malazezë, i cili kishte afro 4 dekada që luftonte kundër turqve. Ndërkohë, që si për të kujtuar “Dorëzimin e Shkodrës” duken pamjet e mbërritjes së princit Mirko dhe trupave malazezë. Por në fakt ky është vetëm dorëzimi që ne njohim. Ky material filmik dëshmon në mënyre rrëngjethëse tmerret e rrethimit gjashtëmujor që çon në zinë më makabre të bukës. Dy fëmijë që ushqehen me lëvoret e forta të pemëve, një nënë e ulur përtokë që ka përballë fëmijën e saj që po merr frymë i shqetësuar, gati i dorëzuar. Këto pamje të bëjnë të kuptosh dorëzimin e vërtetë të Shkodrës… Uria ka pllakosur të gjithë vendin, dorëzimi është në duart e zgjatura tek banorët ndërkohë që një ushtarë malazezë po tregon para kamerës zemërgjerësinë e tij, duke u shpërndarë diçka teksa ata janë mbledhur grumbull. Njerëz me plaçka në krah, fëmijë të vegjël që mbajnë në duar atë çka nga lufta mund të ketë mbetur dhe ikin duke shënuar eksodin e refugjatëve. Nga ana tjetër prej Kështjellës zbret trashëgimtari i kurorës Danilo dhe Princi Petar i Malit të Zi. Rrugën e prijnë jo pak instrumentistë, ushtarakë të armatosur, dikush që mban në dorë flamurin malazez që kushedi pse pranë pamjeve të fëmijëve të uritur duket kaq “i dorëzuar”… Sepse këto janë “dy fytyrat e fitores, nga njëra anë një flamur që valvitet mes një grupi fitimtarësh të hareshëm, e nga ana tjetër një gropë varri ku kufomat nuk njihen më dhe po kalben”…

Filmi në “Në pyjet e ishullit të Rodosit” është xhiruar në Ishullin e Rodosit, që u përkiste osmanëve edhe u pushtua nga italianët në vitin 1912. Në shikim të parë duken si një film turistik, romantik, ekzotik, por që përfundon me imazhe propagandiste.

Filmi “Në luftërat ballkanike” ka mbërrit në EYE në vitin 1913. Shumë filmime të vendosura vetëm në një vegim filmi. Ato janë prodhuar nga kompani të ndryshme edhe në vende të ndryshme, por që ekziston një koherencë mes tyre, kanë në qendër imazhe të Ballkanit.

Filmi “I paidentifikuar” mendohet që është xhiruar në Shqipëri. Një film holandez me një kamp ushtrie turke jashtë Shkodrës, ndoshta në fillim të Rrethimit të Shkodrës, një muaj ara se Ismail qemal Bej Vlora të shpallë Pavarësinë e Shqipërisë.

Filmi I parë që ka përdor ngjyrë, që pikturoheshin kuadër për kuadër nga gratë që përdornin furçë. Por pas vitit 1905 një sistem i automatizuar u përdor për të arritur ngjyrën në materialin filmik.

Ngjyrat e Lumit Vardar, është e pazakontë që të gjesh imazhe lufte të tillë me ngjyra të tilla. Ngjyrat janë krijuar shumë më vonë, por filmi tregon episode të harruara të Luftës së Parë Botërore.

“Jornal 23, Mali i Zi” është film me ngjyra, që tregojnë se grupet të ndryshme etnike edhe fetare jetonin në harmoni.

Filmi “Imazhe nga Jugosllavia” është përmbledhje e kronikave të lajmeve./ KultPlus.com

Të ngjajshme