24 Qershor, 2018 - 9:07 pm
Filmi “Gardhi” me regji të Lendita Zeqiraj ka triumfuar në Palm Springs si filmi më i mire i shkurtër duke fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR, shkruan KulPlus.
“Shumë urime të gjithë ekipit të mrekullueshëm të filmit e sidomos ansamblit fantastik te aktorëve femra dhe rolit kryesor të aktorit të ri Arti Lokaj”, shkruhet në njoftimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Palm Springs International ShortFest është festivali më i madh dhe më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Amerikën Veriore, me më shumë se 5000 aplikime çdo vit.
‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës.
Në këtë film luajnë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina. / KultPlus.com