13 Gusht, 2018 - 11:12 pm
Një skenë nudoje me protagoniste Marilyn Monroe, e cila konsiderohej e ‘shkatërruar’, është gjendur pas shumë vitesh.
Filmi nga i cili është marrë skena është ‘Të martuarit’ (titulli origjinal ‘The Misfits’), i cili daton në 1961 është me regji të John Huston.
Skenat kanë dalë në dritë falë Charles Casillo, i cili i zbuloi gjatë punës për librin e tij me titull “Marilyn Monroe: Jeta private e një ikone publike”.
Casillo ka intervistuar Curtice Taylor, i biri i producentit Frank Taylor, dhe ka zbuluar se ky i fundit ka fshehur filmimin në një sirtar të mbyllur që në vdekjen e babait, në vitin 1999.
Çfarë do të bëhet tani me videon? Taylor ka thënë se nuk është marrë asnjë vendim deri tani.
Por çfarë shihet në atë regjistrim? Sipas saitit “Deadline”, skena ka filmuar një moment pasioni të divës hollivudiane me Clark Gable: Monroe lejon t’i bjerë çarçafi që e mbulon dhe tregon gjithë trupin e saj pa asnjë mbulesë.
Nëse skena do përfshihej në film, do ishte një ndër skenat e para nudo të një aktoreje amerikane në një produksion të rëndësishëm në epokën e filmave me zë.
Regjisori John Huston vendosi përfundimisht të mos e përfshinte skenën në film, sepse mendonte se nuk ishte e rëndësishme për subjektin e filmit.
Por mesa duket skenës i ka dhënë shumë rëndësi Frank Taylor i cili mbante gjurmët e atyre imazheve.
“Të martuarit” ishte shkruar nga bashkëshorti asokohe i Monroe, Arthur Miller dhe tregohet historia e tre ‘kaubojsave’ në garë mes tyre për të tërhequr vëmendjen e një gruaje të bukur.
Ky ishte filmi i fundit i divës para vdekjes së saj në vitin 1962./KultPlus.com