Gjon Karma, aktori që la një galeri të pasur rolesh në traditën e artit tonë skenik

18 Mars, 2025 - 7:31 pm

Nga Albert Vataj

Në historinë e traditës shqiptare të artit skenik, disa emra mbeten të gdhendur si gurë të çmuar, dëshmi e pasionit, përkushtimit dhe talentit të jashtëzakonshëm. Një nga këta emra është Gjon Karma, një figurë e ndritur e artit skenik shqiptar, i cili me interpretimet e tij, la një gjurmë të pashlyeshme në skenën dhe kinemanë kombëtare. Me një karrierë që shtrihet për më shumë se gjysmë shekulli, ai mishëroi karaktere të shumta duke sjellë në jetë personazhe të pasura me nuanca psikologjike dhe një stil të veçantë interpretimi.
Të gjithë roleve që atij ju besuan, si ato të mëdhat edhe të vegjlit, ai i blatoi shpirtin e tij të paepur, zellin e pashoq, përkushtimin me mish e me shpirt për të sjellë në jetë jo vetëm një rol, por një karakter, një tipologji, tip, dimension krijues, aftësi depërtuese përmes lojës dhe impaktit.
Gjon Karma u lind në Shkodër në 18 mars 1915 në një familje me tradite në kulturën shkodrane. Me teatrin ishte i lidhur që i vogël, kur ndiqte shfaqjet e shoqërive amatore teatrore në Shkodër. Në vitin 1924 fillon shkollën në Kolegjin Franceskan, por që i ndërpret pas tre vjetësh më 1927.
Pas braktisjes së shkollës, pati mundësinë që të ndiqte më nga afër shfaqjet e shoqërisë kulturore “Bogdani” dhe që nga viti 1932, ai ishte pjesëtar i Bandës së Bashkisë në Shkodër. Në vitin 1934 në 1 prill, Gjon Karma u ngjit në skenë në një komedi, ku ai interpretoi me humor të këndshëm rolin e tij të parë, atë të një akshiu, Nush Lezeti. Ishte ky rol që i hapi atij dritën jeshile për t’u aktivizuar edhe në shoqëritë e tjera teatrore, krahas aktorëve veteranë si Luigj Mjeda, Kolë Mirashi, Zef Hilë Gega, etj.
I hyri aq me pasion teatrit saqë shpesh herë luante dy role. Ditën mundohej për të siguruar jetesën në dyqanin e tij dhe natën e gjeje në prova.

Pushtimi i vendit e rreshtoi Gjonin në radhën e lëvizjes për Çlirim. Veprimtaria e tij atdhetare ra në sy të pushtuesit dhe pasi arrestohet dërgohet në kampin e Prishtinës në internim, ku kthehet në fund të 1944-s.
Role që ai realizoi dhe që i kanë mbetur fondit të artë të traditës shqiptare të artit skenik nisin në vitin 1945 në “Gjido”, “Deputeti”, “Mbrëmja e madhe”, “Martesë me përdhuni”, 1956; “Lufta botërore”, “Qypi me flori”, “Tradhëtarët”, “Leonida”, “Heroi i punës”, “Lidhja e mrekullueshme”, 1947; “Cani hoxhë”, “Revizori”, “Skutarevski”, “Tartufi, “Epopeja ballit kombëtar”, “Invadimi, Çështja ruse, Dom Gjoni, 1948; “Gishti para hundës”, “Platon Kreçiot”, “Për ata që janë në det”, “Prefekti”, 1949; “Rrënjët e thella”, “Gubernatori i Provincës”, 1950; “Vreshta e Arsenit”, “Komploti i të dënuarave”, “Pas vdekjes”, “Halili dhe Hajria”, 1951; “Janë plagët që flasin”, “Zëri i Amerikës”, “Njerëz mem vullnet të mirë”. dhe vijon rrugëtimi i tij në skenë, duke luftuar me mish e me shpirt, në skenë dhe për skenën, për të bërë një vepër që do t’i mbetet historisë së artit të skenës si dëshmi dhe brezave si testament.
Gjon Karma është ndër të parët aktorë që u seleksionuan nga lëvizja amatore për të formuar bërthamën e Teatrit Popullor në maj të vitit 1945.
Roli i parë i tij në teatër është në pjesën ku luan Pjetrushin. Dhe më pas, po në vitin 1945 luan edhe në tre premiera të tjera Deputeti dhe Mbrëmja e madhe, Martesë me përdhuni. Krahës profesionit të aktorit në Teatrin Popullor Gjon Karma ndërmori edhe detyrën e dramaturgut, duke dhënë ndihmesën e tij modeste, duke plotësuar nevojat e teatrit me pjesë kombëtare me një akt. Kujtojmë këtu pjesën e tij më të suksesshme Qypi me florinj.
Por gjithsesi me pasionin dhe talentin e tij iu përkushtua tërësisht interpretimit.
Personazhet e interpretuara prej tij janë gjithmonë të kompletuar që mbanin të veçantën dhe tipiken kombëtare e frymën popullore, me detaje të gjetura dhe plot finesë e nuanca të larmishme psikologjike.
Në punën e tij gjatë skenike Gjon Karma asnjëherë nuk i bëri bisht rolit, të madh, apo të vogël. Gjon karma luajti role të një karakteri të caktuar, por e tregoi veten si aktor shumëpalësh. Ai është një nga aktorët më të plotë e më të shquar të roleve episodikë. Madje ai ishte i prerë për role të vegjël. Dhe është cilësuar si aktor i madh i roleve të vegjël. Ndër realizimet e tij të suksesshme përmendim Prefektin në “Karnavalet e Korçës”, Vurko te “Pas Vdekjes”, Asllan Beu te “Halili dhe Hajria”, Gjergj Bardhi te “Toka jonë”, Kola te “Cuca e maleve”, Vehipi te “Tri ditët e qametit”, Zeqo te “Fytyra e dytë”.
Pa harruar rolet e tij nga dramaturgjia vullnet të mirë, “Heronjtë”, 1952, “Revizori”, “Martesa me prikë”, “Motori”, 1953. Për të vijuar te “Otello”, “Përmbysja”, 1954; “Toka jonë”, 1955; “Dasma e madhe”, “Vajza e thinjur”, “Në kopshtin me jargavanë”, “Përleshja”, “Shërbëtori i dy zotnive”, “Proçesi i Laipcigut”, 1956; “Qingji i tërbuar”, “Armiqtë”, 1957’; “Intrigë dhe dashuri”, “Në Gjenevë”, “Orët e Kremlinit”, 1958; “Shtatë shaljanët”, “I çuditshmi”, “Syleshi”, “Të rinjtë”, 1959; “Gratë gazmore të Ëindsorit”, “Një letër e humbur”, “Në tufan” 1960. Për të vijuar kështu galeria e tij e larmishme e roleve, të cilave ai u dha jetë më “Hamleti”, “Dragoj i Dragobisë”, 1961; “Njeriu me pushkë”, “Shokë të një klase”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Ambicje” 1962; “Mbi gërmadha” 1963; “Borgjezi fisnik”, “Shtrëngata”, “Morali i zonjës Dulska”, 1964; “Karnavalet e Korçës”, “Tri ditët e kiametit”, “Xhaxha Vanja” 1965; “Roje nën llampat e neonit”, 1966; “Muri i madh dhe i pakapërcyeshëm”, “Pas vdekjes”, “Rrugë të tërthorta”, “Qielli i kuq”, “Tri të shtëna pushke”, “Perkolgjinajt” 1967; “Cuca e maleve”, “Shembja”, “Tokë e zjarrtë”, 1968; “Heronjtë në fabrikë”, “Fytyra e dytë”, 1969; “Drita”, “Mbas dy ditësh”, “20 ditë”, 1970: “I pazvëndësueshmi”, 1971; “Artur Ui”, “Një nuse për stasin, “Viti 61” 1972; “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1973; “Votra e huaj”, 1974; “Bashkë me agimin”, 1975; “Duke gdhirë viti 1945”, “Lumi i vdekur”, “Lezja”, 1976; “Lulet e shegës”, “Karavidhet”, “Shënomëni edhe mua”, 1977; “Gjermani i atij dimri”, “Përmbytja e madhe” 1978; “Besa e madhe”, “Doktori pacient” 1979; “Tragjedia e fundit e Deas”, “Gryka e nëmur”, “Furrnalta”, 1980; “Lenini dhe fëmijët”, “Nga errësira në dritë”, “Epoka para gjyqit”, 1981; “Komunistët”, 1982; “Pas provimit të fundit”, “Udha e flamurit”.
Për të dhënë gjithashtu një kontribut edhe në veprat e mëdha botërore, duke Apolloni të “Hamleti”, Falstafin te “Gratë gazmore të Windsorit), Bobçinskin te “Revizori”, Orgonin te “Tartufi” e shumë role të tjerë.
Por këtu duhet përmendur edhe ndihmesa që dha në Radio Tirana në përgatitjen e “Orës gazmore”, disa vjet rresht, ku edhe shkruante pjesë, edhe i interpretonte ato drejtpërsëdrejti. Në radio ai interpretoi dhjetëra role në radiodramatizimet e ndryshme për fëmijë e të rritur.
Krahës teatrit, ku ai interpretoi mbi 100 role, ai ka interpretuar edhe në disa filma artistikë, që nga filmi “Skënderbeu” (princi dibran), në filmin “Tana”; “Debatik”, “Toka jonë”, “Koncert në vitin 36”, “Vendimi”, etj. Janë rreth 15 role në filmin artistik.
Pas një jete të gjatë në skenë në 15 mars 1976 doli në pension, por që përsëri nuk u nda nga teatri. Interpretoi sërish deri në vitin 1982. Por ajo që mbahet mend e që vlerësohet nga të gjithë si një punë jashtëzakonisht e madhe është pasurimi dhe rregullimi që i bëri ai arshivës së Teatrit Kombëtar për më shumë se 15 vjet. Ai punoi me pasion e kujdes të veçantë për çdo shfaqje, çdo aktor, shkroi kujtime e portrete për kolegët e tij, bëri historikun e vetë teatrit, botoi me dhjetëra artikuj në shtypin e kohës.
Për gjithë jetën e tij të gjatë artistike prej një gjysmë shekulli në skenë, Gjon Karma është nderuar me çmime, medalje, urdhrin “Naim Frashëri” kl. II, si dhe me titullin e lartë “Artist i Merituar”.
U nda nga jeta në moshën 79 vjeçare në 13 janar 1994. Emri dhe arti i Gjon Karmës do të ngelen të skalitura në historinë e teatrit shqiptar dhe do të jenë një shembull edhe për brezat e rinj të aktorëve.
Gjon Karma nuk ishte thjesht një aktor, por një institucion më vete në skenën shqiptare. Ai mishëroi përkushtimin, disiplinën dhe pasionin për artin, duke na lënë një trashëgimi të pasur që mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi. Me rolet e tij, ai arriti të prekë zemrat e publikut dhe të krijojë një model që do të vazhdojë të ndriçojë rrugën e artistëve të rinj. Ndërsa koha kalon, emri i tij do të mbetet gjithmonë i gjallë në histori, si një prej figurave më të shquara të artit skenik shqiptar.

Të ngjajshme