19 Korrik, 2018 - 5:22 pm
Alberina Haxhijaj
Filmi ‘Gjumë dhe Dashuri’ me skenar nga Arsim Haliti dhe Arian Krasniqi e me regji nga Arsim Haliti u dha mbrëmë premierë në PriFilm Fest, shkruan KultPlus.
Në kuadër të edicionit të 10-të të festivalit të filmi, PriFilm Fest, një vend të veçantë po e zënë produksionet vendore. “Gjumë dhe Dashuri” është filmi i radhës i cili erdhi mbrëmë në kuadër të këtij festivali. Premiera e të cilit u dha te platoja në sheshin “Zahir Pajazit”.
Film flet për Astritin, i cili përpiqet që të shërojë vajzën e tij, Zanën, e cila prej muajsh ka rënë në koma si pasojë e një aksidenti automobilistik. Në momentin kur Astriti vendos ta shesë edhe shtëpinë për ta dërguar vajzën e tij jashtë vendit, mjekët zbulojnë se Zana është shtatzënë. Ky lajm e trondit Astritin. Ai bie në konflikt me gruan e tij, në përpjekje për të zbuluar se me kënd ka mbetur shtatzënë Zana. Astriti vihet në kërkim të babait të fëmijës së palindur e që vazhdon të rritet në barkun e vajzës së tij.
Pikërisht tematika që ka filmi e bënë këtë film të veçantë u shpreh producenti Valon Bujupi sipas të cilit pika kulminante e filmit është biseda në mes të Astritit dhe Zanës.
“Tradita dhe mentaliteti janë diçka që lidhen me këtë film e që vërehen të gjeneratat më të vjetra. Këtë mund ta gjejmë te babai, te Astriti dhe te konflikti i tij me gruan e tij. Astriti brenda vetës e ka një konflikt. Ai përpiqet që ta shpëtoj vajzën por në anën tjetër i kushton vëmendje asaj se çfarë thonë të tjerët për të dhe familjen e tij”, u shpreh Bujupi.
“Gjumë dhe Dashuri” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërsa xhirimet për këtë film kanë përfunduar për 13-të ditë pune dhe është xhiruar në 5 lokacione të ndryshme.
“Buxhetin që e kemi kërkuar nga QKK-ja, ka qenë 60 mijë euro mirëpo na kanë ofruar vetëm 35 mijë euro kështu që të gjithë filmin e kemi realizuar me këtë buxhet. Kemi bërë shumë reduktime mirëpo merita më e madhe për realizmin e filmit i takon ekipit të cilët kanë punuar shumë”, u shpreh Bujupi.
Sipas tij dashuria për projektin dhe besimi që ka pasur ekipi në këtë film ka bërë që ata të vazhdojnë punën.
“Nëse e marrim dhe e analizojmë skenarin dhe filmin, për mendimin tim, filmi e ka tejkaluar skenarin. Kjo është diçka shumë e mirë pasi që i jam frikësuar skenarit. Kam menduar se ndoshta nuk kemi material të mjaftueshme mirëpo tani jemi shumë të kënaqur me rezultatin”, u shpreh producenti Bujupi
Filmi “Gjumë dhe Dashuri” në PriFilm Fest ka ardhur si projeksion special dhe nuk është në garë, ndërsa pritet që rrugëtimin e tij ta vazhdojë edhe në festivale të tjera.
“Falënderojmë shumë PriFilm Fest i cili na ka ofruar mundësin për të qenë pjesë e tyre dhe që vazhdimesh na përkrahin. Këtu do të apeloja tek të gjitha festivalet vendore që të kenë përkrahje më të madhe sidomos për projektet vendore pasi që buxheti me të cilin po realizohen filma është i vogël”, përfundoi Valon Bujupi.
Edicioni i 10-të i Pri Film Fest vazhdon deri më 22 korrik. Për programin e plotë të PriFest mund të klikoni në këtë link, e ku do të njoftoheni për filmat dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin këtë javë në kuadër të Prifest./KultPlus.com