10 Prill, 2025 - 4:00 pm
“Gladius” titullohet dokumentari, premiera e të cilit u shfaq mbrëmë në Destil Creative Hub. Dokumentari është një rrëfim tronditës mbi gjyqin special të vitit 1945 dhe fillimin e terrorit komunist në Shqipëri.
Autorët e tij, Viron Roboçi dhe Besmira Pelushaj sollën një qasje të re mbi një nga ngjarjet më të errëta të pasluftës në Shqipëri. Për realizimin e këtij dokumentari autorët shfrytëzuan edhe fondin e arkivit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
“Gjyqi (jo) Special” siç është edhe nëntitulli i veprës, eksploron realitetin tronditës të një procesi të orkestruar politikisht, të njohur si “gjyqi special”, i cili u zhvillua në Tiranë menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Gladius” ngre një paralelizëm të fuqishëm mes ndeshjeve te gladiatorëve në Romën e lashtë dhe këtij gjyqi që shërbeu si një spektakël i dhunshëm me dënime të paracaktuara për 60 intelektualë të kohës, me qëllim eliminimin e tyre dhe intimidimin e pjesës tjetër të elitës politike, veprimtarëve dhe çdo individi me influencë.
“Gladius” ndërthur materialet arkivore, pamjet autentike dokumentare dhe inskenimet artistike, duke i dhënë zë procesit të shpejtë dhe të padrejtë që çoi në ekzekutimin e 17 personave dhe në ndëshkimin me 715 vite burg në total, për të akuzuarit e tjerë. Asnjë nga 17 të ekzekutuarit nuk ka ende sot një vend varri.
Dokumentari u realizua me mbështetjen e “Fondacioni Konrad Adenauer” (KAS Albania) në bashkëpunim me “United Rights Foundation”./atsh/ KultPlus.com