Gratë shqiptare dhe serbe tregojnë copëza të jetës në dokumentarin ‘Kismet’ (VIDEO)

3 Nëntor, 2017 - 7:58 pm

Është një tregim për gratë nga Shqipëria e Serbia, i realizuar nga gra shqiptare e serbe të cilat besojnë se parakusht për progres e për paqe është bashkëpunimi i të rinjve dhe barazia gjinore.

Këto janë dy elemente kryesore të dokumentarit “Kismet”, shkruan KultPlus.

“Kismet” është një tregim për gratë e reja nga Shqipëria dhe Serbia i realizuar prej grave të reja nga Shqipëria dhe Serbia. Ky dokumentar i shkurtër zhytet në jetët e tetë grave të reja nga mjedise dhe përvoja të ndryshme por që të gjitha jetojnë akoma në sisteme mbizotëruese patriarkale. Filmi luan midis zonave urbane dhe rurale të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërmjet tradicionales dhe digjitales, ndërmjet presioneve dhe inovacioneve, tregimeve të vjetra dhe shanseve të reja, duke pyetur – sa të ngjashëm jemi ne në dallimet tona?

Pse një serb do të dëshironte të mësonte gjuhen shqipe? Pse një shqiptar do të martohej me një serb? Kush është “armik” dhe kush është “mik”? A mund të forcohen urat ndërmjet dy vendeve nga gratë e reja duke luajtur futboll bashkë apo nga disa bashkëpunime entuziaste në Wikipedia?

Cilat janë zgjidhjet për sfidat e njejta? A duhet që gratë e reja ta pranojnë “kismetin” e tyre të supozuar apo “ato mund jenë luftaraket e forta” duke inkurajuar dialogun në rajonin e trazuar?

Dokumentari është prodhuar në kuadër të projektit “Gratë e Shqipërisë dhe Serbisë: Ne mundemi!”, implementuar nga OJF Bashkë-Bashkë, Qendra për Ekuilibrin Social, Qendra Rinore Brus nga Serbia, New Vision nga Shqipëria, brenda platformës së “Humans of Albania and Serbia” (www.youthhumans.net), mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Serbi në partneritet me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, Ministrinë Serbe të Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe në Shqipëri, Shërbimin Kombëtar për Rininë në Shqipëri dhe Këshillin Kombëtar Rinor të Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të projektit “Rritja e bashkëpunimit rajonal ndërmjet aktorëve të rinj Serbë dhe Shqiptarë”.

Projekti mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës.

Dokumentari është transmetuar paraprakisht edhe në Serbi dhe në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme