10 Shtator, 2017 - 5:40 pm
Filmi më i mirë u shpall vepra e autorit meksikan Guillermo Del Toro “The Shape of Water”, në të cilin paraqitet historia e dashurisë të vajzës memece dhe krijesës të pazakontë.
Çmimi “Luani i Artë” në Festivalin e 74-të Ndërkombëtar të Filmit të Venecias iu dha regjisorit meksikan Guillermo Del Toro për filmin “The Shape of Water”.
Me shpalljen e veprës më të mirë dhe ndarjen e çmimeve, mbrëmë ka përfunduar Festivali i 74-të i filmit në Venecia të Italisë.
Filmi më i mirë u shpall vepra e autorit meksikan Guillermo Del Toro “The Shape of Water”, në të cilin paraqitet historia e dashurisë të vajzës memece dhe krijesës të pazakontë.
“Luani i Argjendtë” në kategorinë e regjisorit më të mirë i takoi francezit Xavier Legrand për filmin “Jusqu’a la Garde”. Regjisori izraelit Samuel Moaz mori “Çmimin e Jurisë” për filmin “Foxtrot”, ndërsa “Çmimi Special i Jurisë” shkoi për regjisorin Warwick Thornton për filmin “Sweet Country”.
Në kategorinë për aktorin më të mirë mashkull, çmimi i takoi aktorit palestinez Kamel Al-Basha për rolin në “The Insult”, ndërkohë që çmimi për aktoren më të mirë femër iu dha aktores britanike Charlotte Rampling për rolin në filmin “Hannah”.
Festivali i Filmit në Venecia, është një festival filmi ndërkombëtar dhe njëherësh më i vjetri në botë. Festivali i parë u mbajt në vitin 1932 në kuadër të Bienales së Venecias.
Që nga viti 1934, mbahet çdo vit në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit në vendin historik Palazzo del Cinema në Lungomare Marconi, në ishullin Lido të Venecias. Festivali nuk është mbajtur midis viteve 1943 dhe 1945, pastaj në vitin 1973 dhe në vitet 1977-1978./ KultPlus.com