6 Gusht, 2018 - 1:57 pm
Alberina Haxhijaj – Prizren
Mbrëmë në kuadër të DokuFest-it erdhi në Kosovë historia e Adem Rekës i cili pas humbjes së jetës u shpall Hero i Punës Socialiste nga regjimi komunist në Shqipëri, shkruan KultPlus.
Regjinë e filmit “Adem Reka” e ka bërë Ardian Arrëza. Ai është duke përfunduar studimet për regjisorë. Filmi ka ardhur si rezultat i një projekti i cili është realizuar në kuadër të studimeve.
Sipas tij sjellja e periudhës së komunizmit në Shqipëri përmes filmave bënë që shoqëria të reflektojë për atë kohë. Një reflektim të tillë e bënë edhe dokumentari për Adem Rekën, njeriu që u shpall hero edhe pse nuk ishte e tillë.
Historia e Adem Rekës është shumë e thjeshtë, ai u vra derisa punonte në Bigën lundruese në portin e Durrësit. Kjo mund të nxiste debat për sigurinë në punë tani mirëpo, në kohën e komunizmit, një rast i tillë nxiti shpalljen e një heroit. Kështu të urdhëruar njerëzit udhëtonin më qindra kilometra madje edhe nga Saranda për të ardhur dhe për të nderuar heroin e posa shpallur, Adem Rekën.
“Isha student në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe morën fjalën për Adem Rekën. Të gjithë u nisëm për ta nderuar, një shok i imi së bashku me disa të tjerë nuk erdhën. E mbaj mend këtë pasi që pas kësaj ngjarje jeta e shokut tim u shkatërruar, me të vërtet u shkatërruar, ai madje u përjashtua edhe nga fakulteti”, tregon njëri nga protagonistët e dokumentarit.
Ndërsa regjisori i dokumentarit, Ardian Arrëza, tregoi se kishte dëgjuar për Adem Rekën në qytetin e tij. Ai kishte dëgjuar debatin rreth asaj se a është ai heroi apo nuk është dhe pikërisht ky debat e nxiti që të hulumtonte më shumë për të.
“Pash historinë e Adem Rekës dhe mënyrën sesi ishte trajtuar nga koha e atëhershme, një kohë e cila kishte nevojë për të pasur heronj. Në Shqipëri nuk kishe fe, në fakt nuk kishte shumë dhe ishte e nevojshme që të kishte heronj. Pra nuk ishte vetëm rasti i Adme Rekës por kishte edhe raste të tjera kur një person i cili vdiste në vend të punës, shpallej hero”, tregoi Arrëza.
Mirëpo historia e shpalljes hero nuk ishte se pritej mirë nga familjarët. Në dokumentarë mund të shihni vajzën e Adem Rekës e cila shpalos më shumë detaj rreth pasojave që pati kjo në familjen e tyre, ku ata edhe u vënë në qendër të mediave në atë kohë.
“Mediat shkruan sesi nëna ime po udhëtonte me aeroplan me parat që shteti i ka ndarë për heroin, kur në fakt ajo asnjëherë në jetën e saj nuk hipi në aeroplan. Pastaj kur erdhi Enveri të ne, ai erdhi me njerëzit e tij dhe ata i bënin të gjitha për të madje edhe kafen që e piu, por mediat pyesnin: Si e pinte kafen Enveri?”, tregon në dokumentar ajo.
Gjersa shton tutje se ajo që ishte më e dhimbshmja ishte fakti se njerëzit detyroheshin që të marshonin dhe të vinin në nderime.
“Nëna ime gjithmonë thoshte: Përse po vinë gjithë këta njerëz, ata do na mallkojnë. Do thotë: ‘Ah more Adem Reka çka na bërë’”, kujton vajza e tij.
Ngjarja përmblidhet përmes materialit arkivor të kohës edhe rrëfimet e njerëzve që e kanë përjetuar atë, të cilat përfshijnë anëtarë të familjes së Adem Rekës. Të vërtetat e tyre dhe përfitimi nga rezultati ekspozon propagandën e regjimit. /KultPlus.com