28 Prill, 2025 - 9:00 pm
Yjet e kinemasë, Steven Spielberg, George Lucas, Martin Scorsese, Robert De Niro, Al Pacino, Dustin Hoffman, Harrison Ford u mblodhën në Hollivud për t’i dhënë Çmimin e Karrierës dekanit të kinemasë ndërkombëtare një tjetër ylli, i cili quhet Francis Ford Coppola, sipas rtl1025.
Regjisori 86-vjeçar i klasikëve si “The Godfather” dhe “Apocalypse Now” është përshëndetur me homazhe nga legjenda të tjera të filmit, të cilët e kanë lavdëruar atë për sfidën ndaj sistemit dhe ripërcaktimin e mënyrës se si rrëfehen historitë.
”Francisi është heroi im”, tha troç Lucas, i cili e shoqëroi në shesh xhirimin e filmit ”Finian’s Rainbow” në vitin 1968.
“Kur isha 22 vjeç, ai më mësoi të mos kisha frikë të hidhesha nga një shkëmb. Jetova sipas këtij mësimi për pjesën tjetër të jetës sime, edhe nëse nuk arrita kurrë në nivelin e tij”, tha krijuesi i “Star Wars”, i cili me Coppolan më vonë themeloi kompaninë e prodhimit ”American Zoetrope” në San Francisko, e cila nga viti 1980 deri në vitin 1990 fitoi 15 çmime Oscar dhe 68 nominime.
Spielberg, i cili e takoi për herë të parë në vitin 1967, e quajti filmin “The Godfather“ filmin më të madh amerikan ndonjëherë.
Çmimi iu dha nga Instituti Amerikan i Filmit (AFI), shkolla prestigjioze e filmit, e vendosur në shpatet e kodrave të Hollivudit, i cili çdo vit harton një listë të filmave më të mirë të bërë ndonjëherë dhe organizon festivalin më të rëndësishëm në Los Anxheles.
Të shtunën në mbrëmje, ceremonia u mbajt në teatrin ”Dolby”, kinemaja ku jepen çmimet Oscar, dhe për këtë rast, Hollywood Boulevard u vesh përsëri sipas dëshirës, me një qilim të gjatë të kuq dhe radhë kamerash e fotografësh.
Përpara audiencës së veteranëve dhe të sapoardhurve në kinema, Coppola u prek shumë.
“Tani e kuptoj se ky vend që më krijoi, shtëpia ime, nuk është aspak një vend, por ju, miqtë, kolegët, mësuesit, shokët e lojës, familja, fqinjët, të gjitha këto fytyra të mrekullueshme që më mirëprisni”, tha regjisori, njëherësh patriarku i një dinastie të frytshme kineastësh./atsh/ KultPlus.com