24 Shtator, 2024 - 10:47 pm
Natën e dytë të festivalit të filmit TIFF, u shfaq filmi “La Dolce Vita” i Federico Fellini-t, me protagonist aktorin Marcello Mastroianni, të cilit i kushtohet këtë vit, sesioni RetrospectTIFF.
TIFF i kushton një homazh të veçantë Marcello Mastroianni-t në 100-vjetorin e lindjes së tij. Një ikonë e kinemasë, Mastroianni la një trashëgimi të jashtëzakonshme duke sjellë personazhe të paharrueshme që ende frymëzojnë breza të tërë. Ndjekësve të TIFF-it do u ofrohet një program i veçantë me 4 filma të përzgjedhur nga karriera e tij:
Programi i RetrospecTIFF është mundësuar me kontributin e Istitutit Italian të Kulturës, drejtuesi i të cilit, Alessandro Ruggera, ishte i pranishëm, mbrëmjen e djeshme në Kinema Millennium.
Projeksionet e filmave që garojnë në TIFF kanë qenë të shumta në ditën e dytë të festivalit, por mund të veçojmë filmin e regjisorit Isa Qosja, “Lejleku”, një prodhim i Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Filmi, prodhim i vitit 2023, është i metrazhit të gjatë (97′).
Regjisori Qosja rrëfen historinë e një fshati të përgjumur malazez, ku shumica e vendasve kanë emigruar në SHBA. Është mjedisi i një historie të hidhur dhe të ëmbël, i tre grave që luftojnë për autonomi. Suta i reziston presionit për t’u martuar me binjakun autik të burrit të saj të ndjerë, Vezire dhe Drane duhet të mësojnë të bashkëjetojnë pasi burri i tyre i përbashkët planifikon të largohet, Fize përpiqet të gjejë një nuse për djalin e saj. Ndërkohë që ardhja e një lejleku shqetëson fshatarët supersticiozë./atsh/ KultPlus.com