7 Dhjetor, 2018 - 3:15 pm
Dokumentari ‘Hotel Jugoslavija’ sonte do të shfaqet në Tiranë.
Ndërtuar në Beograd në vitin 1969, hoteli “Jugosllavia” ishte një vend mitik. Ai ishte hoteli më i madh në Ballkan, një simbol dhe dëshmitar i periudhave që përkufizuan Jugosllavinë si shtet; nga Titoja tek Millosheviçi; nga socializmi tek nacionalizmi; nga bombardimet e NATO-s tek korrupsioni i liberalizimit ekonomik. Jugosllavia nuk ekziston më, por hoteli ekziston ende në shpirtin e Beogradit, si një pasqyrim i komunitetit serb, i cili kërkon ende mundësi të reja dhe moderne. Me shëtitjen në ndërtesë dhe vështrimin në të gjitha dhomat, me mbledhjen e kujtimeve nga e kaluara prej atyre që kanë jetuar e punuar atje, producenti, i cili ka prejardhje jugosllave nga nëna e tij, por i lindur dhe i rritur në Zvicër, krijoi një kronologji, ku e pandërgjegjshmja kolektive dhe identiteti i tyre del përmbi gjithçka.
Për producentin zviceran, ky film dokumentar është një lloj kërkimi për “mbretërinë e humbur”. Ne gjejmë dhe zbulojmë në këtë vend simbol të një epoke, përmes një liste të klientëve të tij të famshëm dhe të panjohur dhe shohim se si një ndërtesë mund të përkufizojë atë ideologji dhe identitet kombëtar. Gjithashtu mund të shohim se me sa forcë i bën ballë ky hotel kolapsit të sistemit.
Filmi ishte në programin “Panorama”, në Festivalin e Filmit të Berlinit 2018, në programin e konkurrimit në Festivalin e Filmit dokumentar në Selanik 2018 dhe në kompeticinonin zyrtar në Tirana International Film Festival 2018.
Distributor për Shqipërinë është Tirana Film Institute dhe shpërndarja mbështetet nga “Swiss Films”. / KultPlus.com