7 Gusht, 2017 - 4:55 pm
Festivali i Filmit ‘Hyjnesha në Fron’ tashmë është duke i bërë përgatitjet e fundit për edicionin e tij të 10-të i cili do të mbahet në Fushë Kosovë, shkruan KultPlus.
Në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar “Hyjnesha në Fron” do të shfaqen 30 filma të metrazhit të shkurtër, 7 filma të metrazhit të gjatë, përfshirë filma të gjatë dokumentarë si dhe filma të shkurtër dokumentarë si dhe dy filma për fëmijë.
Festivali do të filloj më datë 31 gusht dhe do të zgjasë deri më 4 shtator. Ceremonia e hapjes bëhet në ora 19:30, ndërsa në orën 20:00 fillon të shfaqet filmi artistik i gjatë.
Më datë 2 shtator në kuadër të festivalit do të mbahet edhe dita e dedikuar për fëmijë, ku do të shfaqen dy filma të shkurtë për fëmijë. Filmi “I ikuri” me regji të Sadedin Prekazit si dhe “Change” nga Isaac Kerlow që ka të bëjë me ndryshimet klimatike në tokë. Poashtu do të mbahet një workshop -punëtori ku fëmijët e komuniteteve të ndryshme do të socializohen dhe do të kenë mundësi të mësojnë me shumë rreth kinematografisë si dhe rreth gjuhës e kulturës së njëri tjetrit.
Në edicionin e 10-të jubilar përveç filmave dhe performancave, do të zhvillohen edhe aktivitete tjera që do të shpalosen në ditët në vijim.
Festivali ka filluar edicionin e parë në vitin 2002 si festivali i parë i filmit në Kosovë. Përgjatë viteve festivali është mbajtur në komuna të ndryshme të Kosovës, mirëpo prej vitit 2014 festivali mbahet në stacionin e trenit në Fushë Kosovë, ku filmat e shkurtë shfaqen në tren dhe filmat e gjatë në premisat e stacionit hekurudhor. / KultPlus.com