27 Gusht, 2018 - 3:27 pm
Në natën e pestë, sonte, më 27 gusht përmbyllet edicioni i XI-të i Fest Film Kosova ‘Hyjnesha në Fron’.
Nata finale ka në program ceremoninë përmbyllëse e cila fillon nga ora 20:00 në stacionin e vjetër të trenit në Prishtinë. Pjesa e parë e mbrëmjes është e rezervuar për ndarjen e çmimeve, ndërsa vazhdon me një koktej me muzikë live nga doajeni i muzikës qytetare Bashkim Gagica.
Në çdo kategori garojnë filma të shumtë ndërkombëtarë dhe vendorë për çmimin kryesor të festivalit ‘Hyjnesha në Fron’, statujë kjo e cila simbolizon qytetin e Prishtinës.
Edicioni i sivjetmë i festivalit u zhvendos në stacionin e vjetër të trenit në Prishtinë ku përveç kinos në stacion të trenit dhe asaj në Kino Armata, filmat janë shfaqur edhe në një kino në vagon treni statik si formë proteste e mosrealizimt të idesë fillestare që me tren të udhëtohet nëpër Evropë, dhe të jetë një festival që në udhëtimin me tren ti marrë krijuesit përgjatë udhëtimit të tij, ide kjo origjinale e themeluesit të festivalit Besim Ajeti.
Krijuesit ndërkombëtarë të pranishëm në edicionin e sivjetmë janë tejet të mahnitur me idenë themeluese të festivalit, i cili vazhdon të tërheq mysafirë dhe krijues të shumtë nga vende të ndryshme të botës.
Këtë vit, dy regjisorë, hungarez dhe koreano-jugor, vendosën që filmat e tyre t’i shfaqin si premiera botërore në Fest Film Kosova ‘Hyjnesha në Fron’. Bëhet fjalë për filmat ‘The Devoted’ (Të Përkushtuarit) nga regjisori Pozsgai Zsolt (Hungari), dhe ‘Dad Is Pretty’ (Babai është i Bukur) nga regjisori Park So Min (Republika e Koresë Jugore).
Filma të tjerë të shfaqur këtë edicion kanë pasur gjithashtu premierat e tyre europiane dhe regjionale. Regjisori Szolt, i cili nuk mund të ishte i pranishëm në premierën botërore të filmit të tij, nëpërmjet një letre të përcjellë përmes Ambasadës Hungareze në Kosovë tek organizatorët e festivalit shtoi se ka qenë një surprizë e papritur dhe kënaqësi që filmi i tij është përzgjedhur prej festivalit duke e konsideruar shfaqjen e filmit të tij në Prishtinë si një moment emblematik në karrierën e tij./ KultPlus.com