28 Gusht, 2018 - 9:05 am
Filmi që shpalos rrëfimin e tre fëmijëve në një udhëtim me biçikleta dhe peripecitë që hasin kur u bie të kalojnë një liqen është shpallur më i miri i edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit “Hyjnesha në fron”.
Të hënën mbrëma Çmimi për filmin më të mirë i është dhënë filmit “My Short Words” nga Turqia, nën regji të Bekir Bülbül, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në ditën e pestë të Festivalit, kur edhe janë ndarë çmimet, në një vagon statik, në Stacionin e Trenave në Prishtinë, Çmimi special i festivalit i është dhënë filmit “Hippopotamus” me regji të Edward Palmer, prodhim i vitit të kaluar. Në një ceremoni të thjeshtë, ku pjesëmarrës ishin vetëm juritë, organizatorët e festivalit e vullnetarët, Çmimi special për kinematografi i është dhënë filmit “Haldaa” të regjisorit nga Bangladeshi, Tauquir Ahmed, po ashtu prodhim i vitit 2017.
Juria për filmat e gjatë artistikë në përbërje të kineastëve anglezë, Edwin Mingard e Mark Norfolk, dhe regjisorit kosovar, Agim Sopi, Çmimin për aktoren më të mirë në rolin kryesor ia ka dhënë Airida Gintautaitė, për rolin e saj në filmin “Breathing into marble”, nën regji të Giedre Beinoriute nga Lituania. Po ky film ka marrë edhe Çmimin për skenarin më të mirë. E Çmimi për aktorin më të mirë në rolin kryesor i është dhënë Kim Jong-kook, që luan në filmin korean “Dad is Pretty”.
Drejtoresha ekzekutive e festivalit, Makfire Miftari, e cila e ka bërë publike listën e fituesve, ka kumtuar se Çmimin për regjisorin më të mirë e ka marrë Anders Emblem për filmin “Hurry Slowly”.
Sa u përket filmave të shkurtër, ata janë shpërblyer me tri çmime. Juria në përbërje të publicistes Kimete Berisha, dramaturgut Naser Shatrolli e regjisorit Yll Berisha ka vlerësuar me Çmimin e tretë filmin ”Fahroozan” me regji të Mirabbas Khosravinezhad, me të dytin “Terrier” me regji të Ozan Mermer dhe me të parin “Maniera Greca” me regji të Kirineos Papadimatos./KultPlus.com