25 Janar, 2021 - 10:30 am
Aktori 78-vjeçar, Ian McShane, ka bërë të ditur se beson që filmi i ardhshëm i mbushur me skena aksion, “John Wick”, ku ai e luan rolin e Winstonit krahas yllit hollywoodian Keanu Reeves, do të xhirohet gjatë këtij viti, ani pse është shtyrë disa herë si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
“Keanu dhe unë kemi shkëmbyer urime për Vitin e Ri, duke i thënë njëri-tjetrit se shpresojmë të shihemi këtë vit. E di që skenari i vazhdimit të katërt të filmit ‘John Wick’ është duke u shkruar, dhe po shpresojmë që ta xhirojmë atë gjatë vitit 2021. Megjithatë ishte lajmëruar se vazhdimi i katërt dhe i pestë i filmit të njohur aksion do të xhirohej në një njëjtën kohë, mbetet të shihet çfarë do të ndodhë. Studiot filmike bëjnë paralajmërime të ndryshme. Por nuk kam dyshime se dikur gjatë këtij viti, do të kemi mundësi t’i kthehemi xhirimeve të këtij projekti shumë të dashur për publikun”.
McShane gjithashtu reflektoi mbi suksesin e filmave aksion, duke e pranuar se nga fillimi e kishte ditur se ky projekt i përmban të gjitha elementet për t’u shndërruar në film hit të Hollywoodit.
“Filmi e përfshinë një kastë të mrekullueshme aktorësh, dhe filmi i parë e përmbante një skenar vërtetë të mirë. I dyti nuk ishte edhe aq i mirë, por njerëzit tashmë ishin dashuruar në këtë film dhe e pranuan atë. Mendoj se vazhdimi i tretë ishte i jashtëzakonshëm kështu që edhe publiku i nda i kënaqur me të. Unë gjithmonë mendoja se ishte një film që do të shndërrohej në hit, për shkak të Keanus, gruas së tij të vdekur, një qeni dhe një veture të bukur. Pra i përmbante të gjitha elementet dhe nuk kishte si të dështonte”.
Para ca kohësh ishte zbuluar lajmi se vazhdimi i katërt dhe i pestë i filmit “John Wick” do të realizoheshin në të njëjtën kohë, por regjisori i tyre Chad Stahelski ka bërë të ditur se prioritet po i jep vazhdimit të katërt. / KultPlus.com