14 Maj, 2021 - 8:18 pm
E pakrahasueshme, për talentin dhe bukurinë! E njohur botërisht edhe për origjinën shqiptare.
Irene Papas (Leleku), artistja e famshme greke, që interpretoi edhe krah aktorit tjetër të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, e ka pohuar origjinën e saj të hershme, pikërisht në bisedat me “Uliksin” që vinte nga skaji tjetër i shkëputur i Shqipërisë – Kosova!
Çështjes i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi Aristidh Kola, në librin “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, botuar në Athinë më 1983. Vetë aktorja në një intervistë, e pyetur se përse ishte kaq ezmere, është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmëshqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”.
Abaz Hoxha po ashtu, studiues i kinemasë, e ka përmendur origjinën e saj shqiptare, në librin “Shqiptarët në kinematografinë botërore”.
Irena Papa Leleku lindi në Athinë, më 3 shtator 1926.
Karriera e saj artistike, do të niste rrugëtimin qyshse e vogël, 10-vjeçare, si këngëtare dhe kërcimtare në variete.
U diplomua në Shkollën e Dramës të Teatrit Kombëtar të Athinës. Roli i parë në kinematografi do të ishte “Engjëjt e humbur” (1950). Kryesisht është shfaqur me rolet kryesore të heroinave në tragjeditë klasike greke – role që e tërhiqnin edhe falë pamjes së saj, si të ishte e lundur për rolet e tragjedive klasike. Debutoi me shumë sukses në kinematografinë botërore dhe veçanërisht në atë italiane, franceze dhe amerikane.
Për herë të parë u bë e njohur me interpretimin në filmin grek “Nekropolita” – “Qytet i vdekur”, më 1951. Menjëherë ra në sy të kineastëve italianë dhe lidhi një kontratë me kompaninë “Lux Film”, çfarë solli iterpretimin në shumë filma. Më pas, u angazhua në shumë filma amerikanë dhe bashkëprodhime italo-amerikane, anglo-amerikane, spanjollo-amerikane, greko-amerikane etj., duke u bërë kështu, një aktore shumë e kërkuar edhe ndërkombëtarisht.
Ka interpretuar në filma nga Amerika në Francë, nga Anglia në Itali, nën drejtimin e regjisorëve të njohur Robert Wise, Mihail Kakojanis, nga Jorgo Xhavella tek Elio Petri, Alberto Latuada dhe Françesko Rosi, nga Kosta Gavras te Ray Guerra,betj.
Irena Papa ka interpretuar rolet kryesore të heroinave të tragjedive, si atë të Elektrës, Klitimestrës, Penelopës, Antigonës, perandoreshës Teodora, Katerina e Aragonës, rolin e vejushës në filmin shumë të suksesëshëm “Zorba”, të gjyshes në filmin “Erendiras”, etj. Në vitin 1959, Irena ka interpretuar gjithashtu rolin e heroinës të revolucionit grek të 1821, arvanitases Laskarina Bubulina.
Ajo është ngjitur në piedestalin e yjeve të kinemasë botërore, me rolet e saj epike, falë mjeshtërisë aktoriale veshur me mantelin e hijeshisë së një portreti të skalitur bukurie femërore. Së bashku me Melina Mërkurin, artistet i kapërcyen kufijtë e atdheut të tyre, duke u shndërruar yjet e kinemasë botërore. Papas ka interpretuar përkrah aktorëve të njohur, si: Antoni Kuin, Zhan Maria Volonte, Bekim Fehmi, Marlon Brando, Katerinë Hepbërn, etj.
Mbi 80 role në kinema dhe ekran
Për interpretimet e shquara në kinema dhe teatër, Irena Papa është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si: Aktorja më e mirë në interpretimin e rolit të Elektrës, në filmin me të njëjtin titull në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit zhvilluar në Selanik, 1962, si aktorja më e mirë nderuar nga Bashkimi i kritikëve të Filmit grek, 1962, si aktoria më e mirë në rolin e dytë në filmin “Z” nga New York Film Critics Circle, 1969; aktorja më e mirë në filmin “The Trojan Women”nga National Board of Rewiew, 1971; me çmimin Distinguished Achievement Award nga Hamptons International Film Festival (1993); me çmimin e karrierës për interpretim në Teatër, 1993 “ Flaiano” ;me çmimin e karrierës nga Madrid National Arts Institution, 2000; me çmimin e karrierës nga International Festival Women’s films, 2000; me titullin Doktor i Arteve dhe letrave nga Universiteti i Romës, 2001; me çmimin e karrierës Woman of Europe.
U nderua me titullin e nderit, si “Gruaja e Evropës”, një titull nderi grave që kanë dhënë kontribut të veçantë në civilizimin evropian.
Irena Papa u zbulua fillimisht nga regjisori i njohur Elia Kazan, ndërsa Federiko Fellini ishte një admirues i madh i veprës së saj. Irena ka qenë edhe një shoqe e dashur e aktores tjetër të madhe me njohje ndërkombëtare, Katherinë Hepburn, me të cilën ka interpretuar në filmin “The Trojan Women”(1971). Dikur aktorja shumë e njohur K.Hepburn, dy herë e nderuar me çmimin “Oscar”, ka deklaruar se: ”… Irena është një nga aktoret më të mira, në historinë e kinemasë.”. Një nga miqtë më të afërt të artistes, ka qenë edhe aktori i madh, Marlon Brando.
Sikurse edhe aktorja tjetër greke, e famshme në botë Melina Merkuri, ka regjistruar disa disqe që kanë marrë statusin e muzikës klasike greke dhe janë bërë shumë popullore, titulluar “Ode dhe rapsodi”, përmbajnë 15 këngë dhe himne tradicionale të Kishës Ortodokse greke, këngë nën arranxhimin e kompozitorit fitues i çmimit Oskar, Vangelis Papathanasi. Po ashtu, ka regjistruar edhe këngë të kompozuara nga Mikis Theodorakis./ KultPlus.com