18 Korrik, 2018 - 5:00 pm
Regjisori i mirënjohur i Kosovës Isa Qosja kthehet në vendlindjen e tij për një arsye të veçantë, përcjellë KultPlus.
Një nga regjisorët më të shquar të Kosovës, Isa Qosja, po përgatit filmin e tij të ardhshëm me titullin “The Stroke”, i cili për herë të parë do të trajtë vendin e lindjes së tij, Malin e Zi. Filmi i fundit i Qosjes, “Tri Dritare dhe një Varje” (2014), kishte një qarkullim të gjerë në festivale ndërkombëtare ku gjithashtu është shpërblyer me çmime të shumta. Ai është mbrapa disa prej klasikëve të kinematografisë të Kosovës si “Proka” (1985), “Rojet e Mjegullës” (1988) dhe “Kukumi” (2005).
Sipas informacionit të parë në dispozicion, filmi do të xhirohet në vendlindjen e Qosjes, në Gusi, i cili është një qytet i vogël në veri-lindje të Malit të Zi , diçka që ka qenë një nga ëndrrat më të mëdha të regjisorit për të realizuar. Në rolin kryesor luan Arta Dobroshi, një nga aktoret më të famshme të Kosovës, e njohur për performancën e saj në “Lorna’s Silence” nga Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, dhe në “Three Worlds” nga Catherine Corsini. Pjesa tjetër e ekipit përfshin Arben Bajraktaraj dhe Mirush Kabashin. Gjithashtu, Qosja do të bashkëpunojë përsëri me Gökhan Tiryaki, kinematograf turk i mirënjohur ndërkombëtarisht dhe i vlerësuar me shumë çmime, i cili është veçanërisht i njohur për punën e tij në “Winter Sleep” nga Nuri Bilge Ceylan, fitues i çmimit Palme d’Or, dhe “Ivy” nga Tolga Karaçelik.
Në lidhje me filmin e ri dhe rëndësinë e lokacionit, Qojsa deklaroi:
“Dua të shpreh qëndrimin tim për filmin “The Stroke” jo vetëm për faktin që ndryshon nga filmat e mi të mëhershëm “Kukumi”, “Tri dritare dhe një varje” etj, por edhe për faktin që pas shumë vitesh kthehem në vendlindje Gusi, Mal të Zi për t’a realizuar këtë projekt. Inspirimi im nuk është vetëm vendi ku kam lindur por janë njerëzit, ndodhitë dhe shkretëtira që kanë ata brenda shpirtit. Janë familjet e ndara në dysh: të vjetërit që jetojnë aty dhe të rinjtë që kanë emigruar në Amerikë. Kështu ngadalë dhe heshturazi shuhen familjet, qytetëzat, fshatrat. Jam i bindur që kjo temë do komunikojë emocionalisht me shumë njerëz që e njohin dhe e dinë shijen e hidhur të emigracionit”.
Filmi është prodhuar nga 4MM Productions dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Në lidhje me pritjet e drejtorit për filmin, ai shtoi gjithashtu “pres që ky film të merr vëmendje të merituar në festivale të rëndësishme ndërkombëtare.” / KultPlus.com