5 Korrik, 2018 - 11:00 am
Shqipëria do të jetë pjesë e filmit më të ri nga Hollywood mbi temën e Islamofobisë. Harmonia fetare historike në vendin tonë është parë si një aspekt frymëzues për t’i dhënë botës një model.
Regjisori George Edde dhe producentët e filmit “Islamophobia” janë në Tiranë duke prezantuar projektin.
Filmi ka sjellë në Shqipëri yjet e Hollywood-it, Mel Gibson, Jean-Claude Van Damme dhe Steven Seagal.
Në këtë film merr pjesë edhe aktorja shqiptare Teuta Turku, e cila edhe ka bërë të mundur që producentët të përzgjedhin Shqipërinë si model për ti dhënë mesazhin botës për harmoni ndërfetare.
Skenari i filmit është realizuar nga Omer Sarikaya. Sipas tij, është xhiruar 80% e filmit dhe vetëm 20% do të realizohet në Shqipëri.
“Filmi ka të bëjë me Islamofobinë ku brenda tij ndërthuren paqja dhe toleranca. Shqipëria pa diskutim është një vend i përshtatshëm për këtë film më këtë tematikë. Ne kemi në këtë film 29 aktorë nga 29 vende të ndryshme të botës”, është shprehur ai.
Ndërsa sipas producentit George Edde filmi nuk do të ishte i plotë pa Shqipërinë. Por cila është historia mbi të cilën do të ndërtohet ky prodhim kinematografik? Kur filloi lufta e Bosnjës më 1984 Omar ishte vetëm 8 vjeç. Babai i tij i krishterë u zhduk dhe pas kësaj ngjarjeje Omar dhe nëna e tij emigruan në Roterdam për të nisur një jetë të re, shkruan Gaztea Shqip.
Tashmë një student i ri në Universiteti Omar lufton me krizën e identitetit, shpesh përballë diskriminimit dhe racizmit. Përfundimisht ai konvertohet në mysliman.
Kërkimi i tij për më shumë informacion rreth fesë do ta vendosi emrin e tij në listën e të kërkuarve nga CIA për shkak të disa miqve të tij. Që nga ai moment jeta e tij merr një kthesë drastike.
Kjo është historia që do të ketë një pjesë të xhirimeve dhe në Shqipëri, duke i bërë imazhet e vendit tonë pjesë të ekranit të madh të Hollywood./ KultPlus.com