Istrefi: Kinematografia e Kosovës është duke përparuar me hapa të mëdhenj, këtë e dëshmoi përfundimisht “Zgjoi”

3 Shkurt, 2021 - 11:06 am

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.

Ky lajm ka bërë të lumtur të gjithë shqiptarët e në veçanti ata që qëndrojnë më afër filmit.

Aktori i njohur Shkumbin Istrefi lumturinë e tij për këtë sukses e ka shprehur me fjalë të mëdha.

Ai është shprehur se kinematografia e Kosovës është duke përparuar më hapa të mëdhenj dhe këtë e dëshmoi përfundimisht filmi “Zgjoi”.

“Kjo eshte arritur me perkushtim tejet te madh, profesionalizem dhe art, perkunder mbeshtetjes simbolike financiare qe projektet kinematografike marrin nga shteti. “Topi” eshte te shteti, i cili duhet ta shumefishoje perkrahjen financiare. Kemi cka tregojme dhe dijme ta tregojme ne menyren qe bota e pranon dhe e vlerëson”, ka shkruar Istrefi.

Ai tutje tregon që ky lajm e ka gëzuar tej mase në këtë kohë debatesh të kota duke shtuar tutje se buxheti vjetor i mbështetjes për kinematografi që i ndahet Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk kalon 700.000 Euro, prej të cilave rreth 600.000 Euro i ndahen projekteve. Që i bie mesatarisht nga 120.000 Euro për 3 projekte të metrazhit të gjatë dhe të tjerat për kategori të tjera. Kjo sipas Istrefit është shumë shumë pak. Tepër pak!

“Shpesh producentet, regjisoret e skenaristet mbesin pa u paguar, dhe aktoret me pagesat simbolike sepse honoraret e veta i japin per te mbuluar shpenzimet e filmit. Nje film i metrazhit te gjate i merr mesatarisht 3 vjet kohe per t’u perfunduar. Eshte pune e madhe, e mundimshme dhe me shume shpenzime vetanake te prodhohet nje film. Ndersa kultures dhe shtetit i sjell me shume promovim se kushedi sa aktivitete politike e diplomatike.

Ne filmin “Zgjoi”, Krusha me tregimin e saj eshte degjuar boterisht dhe ne formen me te mire.

Faleminderit  Blerta Basholli dhe ekipi i filmit dhe suksese me tutje. Shpresoj qe te shijoni me se miri kete sukses.

Ne anen tjeter 2.1 milion vidhen dhe kushedi a kthehen. Dhe nuk behet nami”, përfundon Istrefi. / KultPlus.com

Të ngjajshme