13 Janar, 2025 - 11:28 pm
Në Gjirokastër është rikthyer eventi kinematografik i radhës, “Janari, në festën e filmit shqiptar”. Eventi që sjell produkte të veçanta të filmit dhe kinemasë shqiptare u çel me filmin dokumentar të Valmir Tertinit kushtuar aktorit të njohur shqiptar Bekim Femiu. Dokumentari një nga arritjet më të mëdha kinematografike të Tertinit është xhiruar në 6 shtete të ndryshme dhe ka prekur nga afër jetën e aktorit të parë shqiptar, i cili ia doli të krijojë një karrierë që preku majat e kinematografisë botërore. Bekim Fehmiu sillet në dokumentar përmes rrëfimeve të të afërmve, personazheve të tjerë që aktruan pranë tij, miqve dhe prej një arkivi fotografik. Personazhi i tij disi i vështirë për nga karakteri dhe vazhdimisht i keqkuptuar prezantohet për herë të parë në këtë format autentik për publikun në Gjirokastër.
Kineasti Skënder Jaçe tha se Bekim Fehmiu ka lënë pas një trashëgimi të madhe.
“Filmi i aktorit të madh Bekim Fehmiu një figurë e madhe e aktrimit shqiptar i cili theu barrikadat e Ballkanit dhe kapërceu deri në Hollivud me filmat e tij. Ai ka lënë një pasuri mjaft të madhe dhe spektatori njihet me gjithë jetën e tij artistike”, pohon Skënder Jaçe .
Festa e filmit do të sjellë një kronologji të historisë së kinemasë, rënies dhe ringritjes së saj.
Kineasti Jaçe dha detaje për programin e përzgjedhur nga filmat e ish-Kinostudios deri te filmat për fëmijë.
“Kemi gjithashtu një film mjaft interesant shqiptar që bën fjalë për zhvillimet e kinematografisë shqiptare që nga ngritja e Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe më pas rrjetin e kinemave që erdhi duke u degraduar dhe shkatërruar deri sa fillon ringritja e tij tani pas kaq vitesh. Natën e tretë siç thashë kemi “Kapedanin”, restauruar kohët e fundit në variantin 4K dhe në pastrimin e pistave të audios. Kemi përzgjedhur edhe një paketë filmash vizatimorë për moshat e vogla që ta ndjejnë edhe ata këtë pjesë të e kranit të madh në Gjirokastër”, shton ai.
Kinemaja ka një traditë gati shekullore në Gjirokastër, që prej vitit 1927. Qyteti u bë sheshxhirim për disa nga filmat më të rëndësishëm shqiptarë dhe të huaj. Festa e filmit në dimër pason një radhë eventesh verore të Open Cinema ku publiku është njohur me disa nga produktet më të mira të kinemasë moderne shqiptare por edhe dramën e komedinë bashkëkohore ndërkombëtare. Kinemaja i është rikthyer qytetit pas një mungesa prej më shumë se tri dekadash./CNA/ KultPlus.com