2 Shtator, 2017 - 12:36 pm
Dy yjet e kinemasë amerikane Xhejn Fonda dhe Robert Redford u nderuan me çmimin e karrierës në festivalin e 74 të filmit në Venecia. Në ekranin e këtij festivali u shfaq dhe filmi i fundit ku interpretojnë se bashku dy artistët e kinemasë.
Duartrokitje të fuqishme dhe të gjata pritën në skenën e Festivalit të Venecias Jane Fonda dhe Robert Redford, gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit “Luani i artë” me të cilët u nderua karriera e tyre disa dhjetravjecare. Për herë të parë në historinë e festivalit të Venecias çmimi i jepet një çifti aktorësh. Dy divat e Hollivudit, ai 81 vjeç dhe ajo gati 80, duken ende në formë dhe gjatë konferencës për shtyp që i parapriu dhënies së çmimit, ata i dhuruan shumë buzëqeshje gazetarëve.
“Besoj se seksi përmirësohet me moshën, para së gjithash sepse jemi më kurajozë. Çfarë kemi për të humbur, plaket lëkura jote, por edhe ajo e tjetrit”, tha me shaka aktorja amerikane fituese dy herë e çmimit Oskar.
“Kur arrin në një farë moshe, e di se për çfarë ke nevojë. Njeh më mirë trupin tënd dhe nuk ke frikë për të kërkuar atë që ke nevojë. Kjo si në nivelin seksual ashtu dhe atë të dashurisë të cilat përmirësohen me moshën”.
Jo aq rozë e shikonte moshën e trete kolegu i saj Redford.
“Gjëja më e vështirë është për tu përshtatur, mbi të gjitha për një si unë, sepse kur isha i ri isha shumë sportive dhe mund të lëvizja siç doja. Nuk e kisha menduar kurrë këtë, por papritur e kupton që duhet të fillosh të bësh kujdes. Dhe është e vështirë për tu përballuar”, deklaroi Robert Redford.
Redford e Fonda në Festivalin e Venecias prezantuan filmin “ Shpirtrat tonë natën” një film jashtë konkurrimit i prodhuar nga Netflix, bazuar në romanin e Kent Haruf. Filmi i cili do të fillojë të shfaqet që prej 29 shtatorit ne Netflix flet për dashurinë e moshës së tretë. Dy protagonistët në film janë fqinj, të dy të ve, por që nuk njiheshin shumë me njëri-tjetrin. Pastaj një vizitë e papritur e fqinjës që i propozon të flenë bashkë, jo për të bërë dashuri, por për të kaluar natën”, kryqëzon shikimet e tyre në drojën e ndërsjellët emotive dhe me pak fjalë i tregojnë jetët e tyre njëri-tjetrit, atë pjesë që nuk ia njihnin edhe pse jetonin përballë. Filmi përshkohet nga veprime të vogla të përditshmërisë që hapin digat e kujtimeve për të kaluarën. / KultPlus.com