21 Mars, 2022 - 8:30 pm
Aktori i njohur hollywoodian, Jared Leto, mendon se filmat e bazuar në librat komik “Marvel” po i mbajnë gjallë kinematë.
Ylli i filmit “Morbius” i cili e përshkruan veten si person paksa “snob” kur bëhet fjalë për projektet kinematografike, e pranon se është i shqetësuar për faktin se sa shumë mbështetet industria në filmat e superheronjve me buxhet të lartë, veçanërisht në kohë të pandemisë.
“Po të mos ishin filmat e Marvelit, nuk jam i sigurt nëse kinematë do të ekzistonin. Nuk duket se ka vend për të gjithë në këtë industri, prandaj kjo është shndërruar në një situatë paksa zemërthyese”, deklaroi Leto për revistën “Variety”.
Projektet e tilla si, “Spider-Man: No Way Home” dhe “Venom: Let There Be Carnage”, kanë rezultuar të jenë lansime të suksesshme gjatë pandemisë dhe këngëtari i shndërruar në aktor, është mirënjohës që prodhimet e këtilla po i mbajnë në funksion kinematë në një kohë kur platformat digjitale e kanë pushtuar tregun.
“Po ashtu jam falënderues ndaj këtyre filmave, për faktin se po i mbajnë kinematë në funksion”, shtoi Leto.
Vokalisti i grupit “Thirty Seconds to Mars”, duke qenë një adhurues i madh i kinematografisë dhe vizitor i rregullt i kinemave, tutje shpjegoi se si shikimi i filmave ia ka ndryshuar jetën.
“E di sa e rëndësishme ishte për mua si fëmijë, që të ikja nga realiteti përmes filmave. Ajo eksperiencë kulturore ishte goxha informative dhe me ndikim. Në kinema kam parë filma të cilët me të vërtetë ma kanë ndryshuar jetën”.
Aktori i shpërblyer me çmimin “Oscar” shumë shpejt vjen në rolin e Dr. Michael Morbius, një biokimist, i cili provon ta shërojë veten nga një sëmundje e rrallë e gjakut dhe shndërrohet në diçka të errët dhe të frikshme, në filmin e ri të studios “Marvel”. Ai tregoi se është tërhequr nga ky personazh për faktin se nuk është një superhero i zakonshëm. / KultPlus.com