1 Mars, 2018 - 3:35 pm
“La Passion Van Gogh”, filmi i parë me metrazh të gjatë i animuar, kryesisht me piktura në vaj, tregon në 65 000 korniza, vizualisht të mahnitshme, historinë e artistit të madh, nëpërmjet një kërkimi për vdekjen e tij për edicionin e 90-të të çmimeve ”Oscar”.
Bashkëprodhuesi polako-britanik aspiron titullin për filmin më të mirë të animuar, përballë prodhimeve me buxhete të mëdha amerikane, thuhet në shkrimin e AFP-së qe e transmeton ATSH.
Ai ka kushtuar të paktën 5,5 milionë dollarë, rreth 30 herë më pak se “Coco” nga Disney, një prej katër konkurrentëve në listë.
“Sigurisht është gjithçka ose asgjë, dëshiroj statujën”, theksoi duke qeshur Dorota Kobiela, regjisorja polake e veprës.
“Vepra e Van Gogh është e përsosur. Tablotë e tij tregojnë në detaje jetën e tij, përditshmërinë, shtëpinë, miqtë e tij”, theksoi ajo.
Bashkëshorti i saj dhe bashkëregjisori i këtij filmi me metrazh të gjatë unik, Hugh Welchman, i cili kishte punuar tashmë për filmin “Guri dhe Ujku” (“Pierre et le Loup”), i cili ka fituar një Oscar për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër në 2008, mbetet optimist.
“Van Gogh ishte tejet i pazakontë si artist, sepse në thelb, ai hidhte në telajo të gjithë botën e tij. Pikturonte këpucët e veta, dhomën e gjumit, pamjen që shihte nga dritarja e saj, ushqimin që hante, njeriun që ia shërbente atë ushqim. Ishte shumë e lehtë për ne të pikturonim botën, ashtu siç e shihte Vincent van Gogh. Arsyeja tjetër përse e zgjodhëm atë si subjekt ishte historia e tij dramatike, apo më mirë të themi tragjike”, theksoi regjisori Hugh Welchman.
Homazhi ndaj mjeshtrit të madh holandez përdor më shumë se 130 piktura të tij, për të krijuar rrëfenjën e përcjellë publikut në një mënyrë krejt të re.
Secila prej 65 mijë sekuencave të filmit të animuar është një pikturë në vaj, e realizuar me dorë nga 125 artistë profesionistë, të cilët kanë udhëtuar nga pjesë të ndryshme të globit, për t’u bërë pjesë e këtij projekti.
Sfida ka qenë shumë e madhe, veçanërisht për piktorët që janë përfshirë në këtë projekt. Në studiot në Gdansk, 125 artistë të ardhur nga mbarë bota kanë realizuar këtë vepër. Ata kanë pikturuar veprat duke u nisur nga skenat e xhiruara aktorët.
Për realizimin e filmit prej 93 minutash ka qenë i nevojshëm realizimi i 65 000 planeve të pikturuara me dorë.