Jetësohet “Everybody Calls Redjo” pas një rrugëtimi të gjatë, regjisori Deari: Katër vjet kam punuar për këtë film

28 Shtator, 2022 - 6:15 pm

Era Berisha

Gjithçka zë vend në fshatin fiktiv të titulluar “Sllupkove”, ku së fundmi ka ndodhur një ikje masive e të rinjve dhe punëtorëve nga ky vend. Në këtë hapësirë ka mbetur tash veç një person, një punëtor që mban emrin Rexhep Nushi. Nën mungesën e madhe e tejet të shprehur të punëtorëve të tjerë, të gjithë banorët e fshatit nisin dhe e kërkojnë tashmë veç Rexhon, djaloshi i cili kryen nevojat dhe punët e ndryshme dhe llojllojshme që secili banor ka nëpër shtëpitë e tyre, ngaqë askush tjetër nuk është në dispozicion. Bëhet fjalë për filmin “Everybody Calls Redjo” me regji të Ibër Dearit, film ky që pas një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm ia ka arritur që të jetësohet, shkruan KultPlus. 

“Everybody Calls Redjo” është film debutues për regjisorin Ibër Deari si skenarist në filmat e metrazhit të gjatë, derisa edhe Artin Selmani është pjesë e këtij filmi sa i përket pjesës së skenarit. Bashkëpunimi i Dearit me Selmanin ka rrjedhë nga bashkëpunimet e tyre të mëhershme në shumë skenarë, por që për këtë skenar të këtij filmi, ata kanë vendosur që e gjitha puna e tyre të shndërrohet në një projekt filmik. Për ta, ka qenë një proces tejet interesant dhe kanë qenë pikërisht ato orët e shumta nëpërmjet të cilave ata kanë debatuar, qeshur e janë nervozuar, por që kanë përfunduar në vazhdimin e jetësimit të karaktereve dhe situatave. Kanë shkruar e rishkruar dialogë të shumtë edhe deri në ditën e fundit të xhirimeve. Ndërkaq, ekzistojnë shpresat se edhe në të ardhmen, të dytë të shkruajnë skenarë, bashkërisht. 

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Deari ka shpalosur ende më shumë detaje në lidhje me rrugëtimin, procesin e punës dhe të ardhmen e këtij filmi të përfolur. 

Realiteti që na rrethon, në të cilin jetojmë dhe të cilin e shohim çdo ditë, qoftë në rrugë, në lajme apo edhe nga bisedat në kafene me miq, është pika kryesore nga ku edhe ka ardhur ideja për të krijuar filmin. Personazhi kryesor, Rexho cilësohet si personi që regjisori Deari ka pasur më së shumti nevojë, dhe të cilin ai çdo herë e ka kërkuar. Përveç Rexhos si personazh, ka pasur edhe personazhe të tjerë në fokus, por që në fund së bashku me skenaristin Selmanin, ata kanë vendosur të shikohet i gjithë filmi nga vetëm perspektiva e Rexhos.   

Filmi “Everybody Calls Redjo” i përket metrazhit të gjatë. Se si ka nisur ky rrugëtim për regjisorin dhe si ka shkuar deri më tani, e tregon edhe vetë ai. 

“Është me të vërtetë një rrugë shumë e gjatë. Unë me filmin merrem që në moshën e re dhe vazhdimisht jam munduar të punoj. Edhe kur nuk ka pasur buxhete, unë kam krijuar filma me vetëfinancim sepse e dua filmbërjen, mirëpo për të arritur që ta realizoj një film të gjatë, më janë dashur më shumë se katër vite, vetëm përgatitje. Secili film, kudo që realizohet, i ka sfidat dhe vështirësitë e tij. Nuk ka film të lehtë. Gjithë filmat e mirë apo filmat ku autorët mundohen për të bërë diçka të mirë, cilësohet si shumë e lodhshme dhe e vështirë. Në rastin tim, kemi pasur probleme të zakonshme si gjithë filmbërësit e tjerë, duke nisur nga buxheti, koha e shkurtër e xhirimeve, moti që ndryshonte vazhdimisht dhe shumë probleme të tjera normale që kanë të bëjnë me autorët, gjendjen shpirtërore dhe emocionale të artistëve, por kjo është sfidë që të ndihmon të rritesh dhe të jesh më i pjekur si artist”, shpalos regjisori Deari. 

Ndërsa, procesi i përzgjedhjes së kastës së aktorëve, konsiderohet si procesi që ka zgjatur më së shumti në këtë film. Por, energjia ndërmjet tyre, qe pika kryesore nga e cila është jetësuar filmi dhe tani pas shumë problemeve të hasura, regjisori Deari ndjehet i kënaqur me përzgjedhjen që është bërë.  

“Kur punon me aktorë të mirë, është shumë më lehtë të realizosh një film. E unë mendoj që e pata fatin e mirë për të punuar me gjithë këta aktorë. Do i veçoj rolet kryesore pasi që ata e kanë pasur barrën më të madhe, duke nisur nga Afrim Muçaj dhe Adriana Matoshi. Pa këta të dy, vështirë që do e kisha realizuar vizionin e saktë që e kisha në kokë. Por gjithsesi, një duartrokitje e madhe shkon për aktorin e ri, Ledion Muljaku, një djalë shumë i ri e shumë i talentuar dhe besoj se kur të shikoni filmin do të bindeni në këtë që po e them. Gjithashtu jam shumë mirënjohës dhe falënderues për gjithë aktorët e tjerë që erdhën për të qenë pjesë e filmit tim”, thotë ai. 

“Everybody Calls Redjo” ka realizuar xhirimet në gjithsej 20 ditë. I gjithë procesi ka shkuar shumë mirë dhe për sa i përket organizimit ekipor, regjisori Deari ka pohuar që ka qenë jashtëzakonisht profesional. Por, armiku i vetëm i këtij procesi konsiderohet të jetë moti që vazhdimisht ndryshonte, me ç’rast ka krijuar edhe probleme në sheshxhirim, por që sipas regjisorit, filmi kështu bëhet; duke zgjedhur probleme. Ndërkohë, në sheshxhirim ka pasur momente të ndryshme e interesante por që as vetë regjisori nuk mundet t’i veçoj, ngaqë ato janë në masë të madhe.  

Padyshim që krijimi i një filmi që i përket metrazhit të gjatë është një ndjenjë krejtësisht tjetër. Regjisori Deari këtë ndjenjë e përshkruan si tepër të rëndë.  

“Është një emocion tepër i rëndë. Nuk ia ndjen kënaqësinë gjatë të bërit film. Në procesin e krijimit më shumë ke stres, ankth dhe në shumë raste edhe dilema. Më duket si një emocion tronditës sepse merresh me realizimin e një ëndrre por është një ëndërr që të shfaqet si një makth.” 

Po ashtu, ai ka treguar edhe se çfarë ka mësuar personalisht si regjisor dhe skenarist, përgjatë këtij rrugëtimi të krijimit të filmit. E kjo për shumë kë, del të jetë shpeshherë ndryshe.  

“Besoj se kam mësuar shumë, mjaftueshëm për ta kuptuar se të bërit një film nuk është ashtu si e lexon në libër apo në shkollë, e as ashtu si e komenton dhe diskuton nëpër tavolina e kafene. Të bërit film është një luftë që duhet të përjetohet drejtpërdrejt vetëm në fushëbetejë, ndërsa me njohuritë e librit dhe të shkollës, mbetesh vetëm një njohës i filmit por jo edhe i krijimit të tij”, thotë regjisori Deari për KultPlus. 

Sipas tij, suksesi i filmave kosovarë është tejet i lartë, pasi që çdo vit nëpërmjet filmave, krijuesit kosovarë e dëshmojnë vetën duke shkuar në festivalet më të mira në botë. Ai shprehet se në Kosovë punohet shumë, sidomos duke marr parasysh se filmbërësit punojnë me aq buxhete të vogla, e që në fund arrijnë sukses të madh. 

“Në Kosovë ka shumë konkurrencë dhe filmbërësit janë në luftë për të dëshmuar veten e tyre. Ata janë të uritur për të bërë punë të mirë. Ka shumë regjisorë guximtar që rrezikojnë, por gjithashtu Kosova ka edhe shumë aktorë të mirë që ia mundësojnë e ia lehtësojnë punën secilit regjisor, që ata të arrijnë të bëjnë filmat e tyre të veçantë dhe komunikues me publikun”, përfundon ai.   

Ndërkaq, premiera e filmit “Everybody Calls Redjo” ende nuk dihet saktë se kur do të shpaloset, për arsye të postproduksionit, që zgjatë tejet shumë.  

Në filmin “Everybody Calls Redjo” luajnë: Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj. / KultPlus.com

Të ngjajshme