27 Janar, 2020 - 3:30 pm
Jim Carrey ka zbuluar se do të ishte i interesuar ta realizon një vazhdim të ri të filmit “The Mask” por e ka një kusht të veçantë për këtë.
Aktori i cili në vitin 1994 bëri histori me portretizimin e një bankieri të dashur dhe të turpshëm, Stanley Ipkiss, i cili me anë të një maskeje magjike shndërrohet në një gangster të plotfuqishëm ngjyrë gjelbër, ka treguar se do të ishte i gatshëm t’i rikthehej këtij personazhi të pëlqyer nga publiku mbarëbotëror, vetëm nëse filmi do të realizohej nga ndonjë regjisor vizionar dhe me krijimtari të çmendur, transmeton Koha.net.
Duke folur për rolin e tij në filmin e adaptuar nga video-loja e famshme “Sonic The Hedgehog”, Carrey po ashtu e përmendi të vetmin kusht që do ta kishte, për të pranuar ta përsëris rolin e “The Mask”.
“Në fakt kjo do të varej tërësisht nga regjisori i cili do të caktohej për ta realizuar filmin. Nuk dua ta rikthej këtë personazh, vetëm sa për t’ia bërë qejfin disa njerëzve. Por, sigurisht që do ta pranoja ofertën, nëse filmi do të realizohej nga ndonjë regjisor me vizion kreativ dhe paksa të çmendur,” citohet të ketë thënë Carrey.
Një vazhdim i filmit të famshëm ishte realizuar në vitin 2005, por pa aktorin Jim Carrey. Filmi me titull “Son of the Mask”, nuk ka shënuar suksese të pritshme në arkat filmike dhe është pritur me kritika negative nga publiku dhe kritikët në përgjithësi. / KultPlus.com