Jo si zakonisht, Bekim Fehmiu flet për sportet e preferuara

17 Tetor, 2017 - 4:57 pm

Në vitin 1979, një pjesë e mirë e aktorëve e regjisorëve të ftuar në Festivalin e Filmit në Pula të Kroacisë u pyetën mbi lidhjen e tyre me sportin.

Këta filmbërës, këta aktorë, secili të inkuadruar mirë e mirë në botën e filmit, megjithatë kanë pasionet e tyre në fushën e sportit.

U pyet edhe Bekim Fehmiu, mbi dashuritë e tij në sport dhe mbi kohën e lirë të cilën dosido do t`ia kushtonte sportit.

Ai në këtë intervistë të cilën e sjellë Yugopapir në kuadër të shkrimeve të moçme të kulturës e artit e sportit, ka treguar se gjatë jetës së tij, pos aktrimit fenomenal dhe njohjes që aktrimi i solli në mbarë botën, ai është marrë me boks, me not, me atletikë, me basketboll e me futboll, shkruan KultPlus.

“Sportet e mia më të preferuara janë basketbolli, boksi dhe noti. Për shkak të një lëndimi që pata, po merrem më shumë me gjimnastikë pasi kjo po më ndihmon ta marr veten. Nuk shkoj shumë në stadiume, por e përcjelli futbollin” ka treguar Fehmiu në këtë intervistë.

Në këtë edicion të Festivalit të Filmit në Pula, u shfaq filmi “Era dhe Lisi” me regji nga Besim Sahatçiu dhe me skenar nga Petrit Imami. Abdurrahman Shala mori çmimin për aktorin më të mirë të festivalit për rolin e tij në këtë film. / KultPlus.com

Të ngjajshme