Johnny Depp do të nderohet me çmim special nga festivali i filmit në ‘San Sebastian’

10 Gusht, 2021 - 4:56 pm

Aktori Johnny Depp do ta pranojë çmimin “Donostia Award”, në festivalin e sivjetmë të filmit në San Sebastian.

“Donostia Award” është shpërblimi më i lartë që e nderon karrierën e yjeve të filmit, dhe në uebfaqen zyrtare të festivalit të njohur të filmit, Depp është përshkruar si një prej aktorëve më të gjithanshëm dhe të talentuar në kinematografisë bashkëkohore, transmeton KultPlus.

Yllit të njohur hollywoodian do t’i ndahet çmimi më 22 shtator në sallën “Kursaal Auditorium”, gjatë edicionit të 69-të të festivalit të filmit në San Sebastian. Ndër personalitetet e nderuar me këtë shpërblim në të kaluarën janë, Judi Dench, Viggo Mortensen, Sigourney Weaver dhe Penelope Cruz.

Depp ka marrë pjesë në Festivalin e filmit në San Sebastian dy herë, me filmin e vitit 1998 të Terry Gilliamit, “Fear and Loathing in Las Vegas”, si dhe në vitin 2020 me projektin e regjisorit Shane McGrowan, “Crock Of Gold: A Few Rounds”.

Aktori, karrierën filmike e filloi në moshën 21-vjeçare duke luajtur në filmin, “A Nightmare On Elm Street”. Nga atëherë ai e ka krijuar një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme filmike dhe shquhet për bashkëpunimet e shpeshta me regjisorin, Tim Burton. Disa prej filmave më të njohur të Deppit janë: “Edward Scissorhands”, “Sweeney Todd”, “Ed Wood”, “Sleepy Hollow”, “Dark Shadows”, “Charlie and the Chocolate Factory”, “The Tourist”, “Secret Window” dhe filmat hit në arkat filmike, “Pirates Of The Caribbean”. / KultPlus.com

Të ngjajshme